"Të thajmë moçalin e kaftë!" Bundestagu dënon ekstremizmin e djathtë
23 Nëntor 2011Në një deklaratë të përbashkët të të gjitha partive, të miratuar të martën, thuhet se është e turpshme që pas krimeve të pashoqe të regjimit nacionalist, ideologjia ekstremiste e djathtë lë gjurmë të përgjakshme të vrasjeve të papërfytyrueshme. Në emër të të gjithë deputetëve gjermanë, kryetari i parlamentit, Norbert Lammert të hënën shprehu "dhimbjen, shokun dhe tronditjen" për serinë e vrasjeve të neonazistëve në Gjermani. "Ne ndjehemi me turp që autoritetet e sigurisë të landeve dhe federatës për vite të tëra nuk mundën as t'i zbulonin në kohën e duhur krimet e planifikuara dhe as t'i pengonin ato", tha Lammert.
Qendër e re mbrojteje kundër ekstremizmit të djathtë
Para fillimit të debatit në parlamentin gjerman, të pesë fraksionet e partive parlamentare ranë dakord për një deklaratë të përbashkët, ku përmenden emrat e dhjetë viktimave neonaziste si dhe shprehet dhimbja për këto krime. Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich nga partia konservatore, CSU tha se vrasjet nuk janë vetëm sulme ndaj individëve të veçantë, por edhe ndaj "gjithë shoqërisë sonë, rendit tonë të lirë dhe demokracisë." Ajo që mbetet të bëhet është premtimi për të gjetur dhe ndëshkuar fajtorët e ndihmësit e tyre, dhe për ta tharë këtë moçal ushqyes të skenës së kaftë, që është baza e këtyre akteve, theksoi ai.
"Ne kemi krijuar një qendër mbrojtjeje kundër terrorizmit islamist, ku të gjitha autoritetet e federatës dhe landeve bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Duam që të krijojmë po kështu një qendër mbrojtjeje edhe kundër ekstremizmit të djathtë."
Kjo qendër me ndihmën e një banke të dhënash të përbashkët do mbledhë të dhëna për të gjithë skenën e djathtë ekstremiste. Deri më tani ka qenë kompetencë e autoritetit të landit për mbrojtjen e kushtetutës se cilat informacione dorëzoheshin tek zyra federale për mbrojtjen e kushtetutës.
Ish-ministri i Jashtëm paralajmëron për "irritime jashtë vendit"
Ish-ministri i Jashtëm gjerman dhe kryetari i fraksionit të socialdemokratëve në opozitë, Frank Walter Steinmeier, paralajmëroi për "irritimet që mund të shkaktohen tek miqtë tanë jashtë vendit", po qe se nuk diskutohet në Gjermani për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë NPD. "Ndarja - nga njëra anë parti e pranueshme NPD dhe nga ana tjetër ekstremizëm i djathtë i gatshëm për dhunë, ka qenë dhe është një iluzion."
Një përpjekje për ta ndaluar këtë parti me kërkesë të Bundestagut dështoi para Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003. Për gjykatësit, asokohe, nuk ishte plotësisht e bazuar akuza për shkelje të kushtetutës nga ana e partisë ekstremiste të djathtë, dhe se provat e sjella ishin ndërfutur me qëllim nga informantë të mbrojtjes kushtetuese në këtë parti.
Informantët ndoshta nuk tërhiqen nga NPD
Për të rritur shanset për një procedurë të dytë për ndalimin e kësaj partie, një sërë politikanësh gjermanë dhe përfaqësues nga shoqëria civile kanë kërkuar tërheqjen e informantëve nga partia ekstremiste e djathtë NPD. Por ministri i Brendshëm gjerman, Friedrich megjithatë mendon të mbështetet tek këta persona. Ata janë, sipas tij "një sistem i hershëm paralajmërues", me ndihmën e të cilëve janë ndaluar më shumë se 30 organizata ekstremiste të djathta që nga fillimi i viteve 90-të.
Ndërkohë kryetari i fraksionit të konservatorëve në parlamentin gjerman, Volker Kauder bëri të ditur se do të revizionohet vendimi për shkurtimin e projekteve që luftojnë ekstremizmin e djathtë. Nga ana tjetër viktimat dhe të afërmit e viktimave të vrasjeve neonaziste dhe sulmeve të tyre do të dëmshpërblehen.
Autor: Marcel Fürstenau/Lindita Arapi
Redaktoi:Esat Ahmeti