Curevac: Rezultate të dobëta në teste
18 Qershor 2021Kompania farmaceutike me qendër në Tübingen, Curevac është konsideruar një kohë të gjatë si kandidati më shpresëdhënës në luftën kundër virusit Corona. Ndaj edhe zhgënjimi i shumë vëzhguesve dhe investitorëve pas publikimit të të dhënave të fundit për efektshmërinë e vaksinës është edhe më i madh. Studimi i fundit dëshmon se vaksina ka një "efektivitet paraprak prej 47 përqind, kundër sëmundjes Covid-19 e të çfarëdo niveli të sëmundjes".
Kompania, e cila po punon në zhvillimin e vaksinës së bashku me gjigantin farmaceutik Bayer, njoftoi të enjten në mbrëmje, se efektshmëria e deritanishme e vaksinës nuk i plotëson kriteret e specifikuara të suksesit të kërkuar. Analizat e para tregojnë se efektiviteti varet nga grupmosha e ekzaminuar dhe nga llojet e virusit. Studimi do të vazhdojë deri në analizën përfundimtare, thuhet nga kompania.
Rënia e vlerës në bursë
Njoftimi menjëherë pati një efekt dramatik në Bursën e Nju Jorkut, ku aksionet e Curevac shënuan një rënie shumë të madhe. Vlera e kompanisë u përgjysmua në SHBA. Ndryshe nga prodhuesit e tjerë, vaksinat e të cilëve tashmë po përdoren me sukses në të gjithë botën, kompania me qendër në Tübingen vazhdon të mbledhë të dhëna dhe po përpiqet kohët e fundit të justifikohet para aksionarëve dhe vëzhguesve.
Curevac është prej kohësh në fazën përfundimtare të studimeve. Sipas informacioneve të Curevac, rreth 40.000 persona kanë marrë pjesë në studimet me këtë vaksinë. Për analizën e përkohshme janë kontrolluar 134 raste të personave të sëmurë nga COVID-19. Janë konstatuar të paktën 13 variante të ndryshme të virusit.
Mutacionet
Sipas kompanisë, vetëm tek një rast është konstatuar varianti origjinal i virusit Sars-CoV-2. Kjo vaksinë bazohet sikur edhe vaksinat BioNTech/Pfizer dhe Moderna, tek teknologjia mRNa. Deri në fillim të qershorit thuhej se kompania priste - në varësi nga të dhënat klinike - leja për përdorimin e vaksinës në BE në tremujorin e dytë. Por pak më vonë u bë e njohur se procedurat do të zgjaten edhe më tej.
Shefi i Curevac Franz-Werner Haas tha se ata kanë shpresuar rezultate më të mira. Por ata shpresojnë se rezultatet në vazhdim do të jenë më të mira. "Efektiviteti përfundimtar mund të ndryshojë". Eksperti i shëndetësisë nga partia SPD, Karl Lauterbach shkruan në Twitter: "Është për të ardhur keq, ekipi nga Tübingeni e ka merituar suksesin".
Ministri i Shëndetësisë Spahn "i dëshpëruar"
Bashkimi Evropian ka siguruar paraprakisht deri në 405 milionë doza të vaksinës Curevac. Ministria gjermane e Shëndetësisë kohët e fundit njoftoi se ilaçi do të përfshihej në planifikimin e fushatës së vaksinimit, pas licencimit të vaksinës. Në këtë tremujor është anuluar shpërndarja e 1.4 milionë dozave të vaksinave. Ministri federal i Shëndetësisë Jens Spahn (CDU) foli për "një nga zhgënjimet më të mëdha".
bc/mak/ehl (dpa, afp, rtr)