Vazhdon fluksi i azilkërkuesve në Gjermani
9 Shkurt 2015Numri i azilkërkuesve në Gjermani vazhdon të rritet. 25.042 kërkesa për azil i janë dorëzuar Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët në janar të këtij viti. Në krahasim me janarin e vitit të kaluar kjo shifër përbën një rritje prej 73 përqind, njofton Ministria e Brendshme në Berlin. 21.679 prej tyre janë aplikime për herë të parë, 3363 janë kerkesa të përsëritura për marrjen e azilit. Në rastin e aplikimeve për herë të parë autoritetet kanë regjistruar një rritje prej 27 përqind brenda një muaji.
Më shumë aplikime për azil nga Siria, Shqipëria dhe Kosova
Vendi kryesor, nga vijnë azilkërkuesit në janar të këtij viti, është Siria. 5530 refugjatë sirianë shpresojnë të përfitojnë leje qendrimi në Gjermani. Rritje të ndjeshme shënon numri i azilkërkuesve nga Kosova. Numri i azilkërkuesve nga Kosova është rritur nga 1956 në janarin e kaluar në 3630 në janar të këtij viti. Nga Shqipëria në janar kanë ardhur në Gjermani 1648 azilkërkues, shumë më tepër se në dhjetor, kur kërkuan azil vetëm 940 persona nga Shqipëria. Aplikimet për azilim nga Serbia kanë mbetur ndërkohë të qëndrueshme dhe kapin shifrën 3328.
Vitin e kaluar Gjermania ka pasur rreth 203.000 kërkesa për azil, më shumë se asnjë vend tjetër i Bashkimit Evropian. Vetëm në dy vite të tjera qysh nga krijimi i i Republikës Federale të Gjermanisë numri i refugjatëve ka qenë më i lartë, gjatë viteve 1990-të, në vitet me numrin rekord të azilkërkuesve.
bri/cr/se (afp, rtr, kna epd)