010909 D Kinderstudie OECD
9 Shtator 2009Sipas Studimit të OECD-së në Gjermani gjendja paraqitet e mirë në sektorin e shëndetit, dhe është mesatare deri e keqe në atë social dhe të shkollimit. OECD-ja ka 30 shtete anëtare: 23 evropiane si dhe Australia, Japonia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Meksika, Zelanda e Re dhe SHBA.
Në rast se fati i fëmijëve do të varej vetëm prej parave, atëhere Gjermania s'duhet të ketë në këtë drejtim probleme. Në krahasim me vendet e tjera të industrializuara në Gjermani për fëmijët shpenzohen rreth 20% para më tepër. Rreth 40% e tyre janë para për fëmijët, që u paguhen drejtpërdrejt prindërve. Por megjithëse në Danimarkë dhe Suedi familjet përfitojnë drejtpërdrejt rreth gjysmën e parave që shpenzon shteti për fëmijët, në këto vende rreziku i varfërisë në radhët e fëmijëve është më i ulët. Ngjashëm qëndron puna edhe me mundësitë dhe shanset e barabarta sa i përket shkollimit.
OECD: Gjermania zë vend të mirë sa i përket pajisjes materiale të nxënësve si dhe shëndetit të tyre
Kjo lidhet në radhë të parë me faktin se në shumë nga vendet e tjera janë më të mira ofertat shtetërore për çerdhe dhe kopshte, apo shkolla, ku fëmijët mund të kalojnë gjithë ditën. Për këtë drejtuesja e studimit të parë të OECD-së në lidhje me gjendjen e fëmijëve, Monika Queisser, kërkon më tepër investime në këtë sektor. Në këtë mes duhet thënës e gjendja në Gjermani mund të jetë përmirësuar, sepse qeveria gjermane ka vënë thekse të reja sa i përket zgjerimit të numrit të çerdheve dhe të kopshteve, ndërkohë që të dhënat në të cilat bazohet studimi janë të para katër viteve.
Sa i përket pajisjes materiale të nxënësve si dhe shëndetit të tyre Gjermania zë një vend të mirë në radhën e vendeve të tjera të BE-së. "Ata kanë më tepër banka, libra shkollorë, kompjutera, makina llogaritëse apo fjalorë se në vende të tjera. Bebeve në Gjermani u jepet për një kohë më të gjatë gji se në vende të tjera, përqindjet e vaksinimit në rastin e kollës së mirë dhe shytave janë shumë të larta. Numri i shtatzanive në radhët e të miturave është i ulët. Të rinjtë gjermanë pinë më pak alkool se sa mesatarja e vendeve të OECD-së. Por ata, sidomos vajzat, konsumojnë më tepër duhan se sa të tjerët." - sqaron Monika Queisser.
Probleme në Gjermani ka në drejtim të shanseve të barabarta dhe kushteve të jetesës
Prej vitesh në shumë raporte të OECD-së është konstatuar se: "Rreziku i varfërisë në Gjermani vazhdon të jetë tepër i lartë, sidomos në ato familje ku fëmijët rriten vetëm nga një prind. Pikërisht për këtë grup duhet bërë më tepër."
Konkretisht: një ndër gjashtë fëmijë në Gjermani jeton në një familje, e cila ka në dispozicion më pak se gjysmën e të ardhurave mesatare kombëtare. Mesatarja e OECD-së në këtë pikë është një në tetë. Sipas këtij përcaktimi më mirë nga të gjitha vendet fëmijët e kanë në Danimarkë, ku si i varfër konsiderohet një ndër 37 fëmijë.
Drejtuesja e studimit, Monika Queisser, i ka të qarta dobësitë metodike që lidhen me përpilimin e raportit, sepse sikurse edhe studime të tjera të OECD-së ai bazohet kryesisht mbi materiale statistikore. Për këtë ajo kërkon që në studimet e tjera të përfshihen edhe indikatorë subjektivë, si p.sh. intervistat dhe sondazhet me vetë fëmijët.
Megjithë dallimet mes vendeve të ndyrshme, në botë nuk ka një vend ideal për fëmijët. Raporti i OECD-së arrin në përfundimin se të gjitha vendet kanë dobësitë dhe të mirat e tyre.
Autor: Marsel Fürstenau / Dr. Pandeli Pani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora