Vjosa Osmani: Serbia minon pozitën ndërkombëtare të Kosovës
12 Tetor 2021Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi ndaj Beogradit zyrtar, pasi në Serbi u zhvillua Samiti i Vendeve të Painkuadruara. Serbia në këtë organizatë ka statusin e vendit vëzhgues. Presidentja e Kosovës akuzoi Beogradin zyrtar, se po "vazhdon me përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës me narrativë e argumente të falsifikuara, me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës. "Nën udhëheqjen e kasapit Sllobodan Millosheviq, Serbia ka shkaktuar shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, duke shkaktuar gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, si dhe duke shkelur në mënyrë flagrante parimet themelore të NAM-it. Si vend kolonizues, me politika destabilizuese, me mohim të gjenocidit të kryer ndaj civilëve të pafajshëm e me veprime që çdo ditë bien ndesh me përpjekjet për paqe e stabilitet në rajonin tonë, Serbia dëshmon se është në kundërshtim me vlerat, mbi të cilat është ndërtuar NAM”, ka thënë presidentja Osmani.
Thirrje të gjitha vendeve të NAM-it të njohin Kosovën
Presidentja e Kosovës theksoi në reagimin e saj, se pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të NAM-it. Ajo thotë se "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”. Osmani ftoi të gjitha shtetet e NAM që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i GJND-së.
"Republika e Kosovës e vlerëson mbështetjen, të cilën ia kanë dhënë disa vende të NAM-it, në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë”, është shprehur Osmani.
Vuçiq: Serbia lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial
Para liderëve të vendeve të paikuadruara foli presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se "Beogradi ishte, është dhe do të jetë nikoqiri i të gjithë atyre që përçojnë mesazhin e paqes", dhe shtoi se "Serbia është promovuese e idesë së multilateralizmit". Duke folur për cështjen e Kosovës Vuçiq tha se "dialogu me Kosovën nuk ka alternativë”. "Serbia lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, mbron të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kombeve të Bashkuara dhe se është e angazhuar për dialog me Kosovën. E mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është çelësi për sukses në dialog pasi ai nuk ka alternativë", tha Aleksandër Vuçiq.
Në samitin dyditor që shënon 60-vjetorin e konferencës së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve morën pjesë më shumë se 105 vende dhe nëntë organizatave ndërkombëtare. Kjo lëvizje u themelua nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA).
Përpjekje për rikthim në dialog
Përplasjet deklarative me akuza dhe kundër akuza ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po bëhen pikërisht në kohën kur Bashkimi Evropian dhe SHBA po bëjnë përpjekje që të ulin sërish në tryezën e dialogut të nivelit të lartë, politikanë të Kosovës dhe Serbisë. Tre javë më parë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën pas vendosjes nga qeveria e Kosovës të masës së reciprocitetit në targa të veturave. Pas disa ditë barrikadash nga serbët lokalë të veriut të Kosovës dhe me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare u arrit marrëveshja për përdorimin e targave të veturave duke mbuluar të dyja vendet inicialet shtetKosovë - Serbi: Zhbllokohen tërësisht pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakërore.
Pas kësaj marrëveshje, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell the se "Kosova dhe Serbia duhet t'i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve”. "Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.