Berlinale e 62-të
8 Shkurt 2012Të flasësh për ndonjë pikërëndesë tematike në një festival kaq të madh si Berlinale, s'ka kurfarë kuptimi. "Ndryshimet dhe thyerjet në shoqëri", do të duhej të ishte tema e këtij viti. Kështu të paktën e ka formuluar shefi i Berlinales Dieter Kosslick. Kjo ka mundur të jetë temë edhe në festivalet e viteve të kaluara. Në 400 premiera filmash, shumë prej tyre merren me ndryshimet shoqërore. Ndaj kërkimi i motos për këtë vit është vetëm një farsë. A thua ka filma që nuk merren me këtë çështje?
Heqja dorë nga regjisorët e mëdhenj - rreziqet dhe shansat
Më i rëndësishëm se përcaktimi i motos së Festvialit është kualiteti i filmave që prezantohen. Ndërkohë që kualiteti mund të shihet vetëm pas paraqitjes së tyre. Vitet e kaluara drejtori Kosslick dhe ekipi i tij janë kritikuar ashpër për shkak të mungesës së kualitetit. Ndaj është shumë interesante se cila do të jetë konkurrenca për ariun e artë dhe të argjendtë. Në mesin e regjisorëve nuk ka gati asnjë me emër tepër të njohur. Ata ende i japin përparësi festivalit të Kanës. Ndërsa Holivudi kohët e fundit është paraqitur shumë rrallë në Berlin. Paraqitja e projekteve të mëdha filmike në Berlin nuk ka ndonjë peshë të madhe për marketingun e filmave amerikanë.
Të gjitha këto janë mangësi për Berlinalen e 62, e cila këtë vit mbahet nga 9.2.-19.2.2012. Shumë regjisorë dhe aktorë të panjohur kanë mundësinë të shfrytëzojnë këtë shans. Kuptohet nëse kanë bërë filma të mirë. Këtë vit do të prezantohen 23 filma, pesë prej tyre jashtë konkurrencës. Kinematografia gjermane është e prezantuar më së shumti. Po ashtu edhe regjistorët e njohur të gjeneratës së mesme si Hans-Christian Schmid, Matthias Glasner dhe Christian Petzold. Ata paraqaiten me tre filma për gjendjen në familje. Do të paraqiten edhe ko-produksione ndërkombëtare të inçizuara me paratë e filmit gjerman. Trendi i viteve të kaluara ka vazhduar: globalizimi kërkon bashkëpunnim edhe në këtë sektor. Ndërsa nocioni kinematografi ndërkombëtare po shuhet gjithnjë e më shumë.
Prezencë e madhe evropiane
Kinomatografia evropiane është e prezantuar mirë në Festivalin e vitit 2012. Do të prezantohen filma nga Franca, Italia, Portugalia, Spanja, Danimarka, Greqia dhe Hungaria. Festivali do të hapet me filmin francez "Les Adieux à la reine" (Lamtumira e mbretëreshës), i cili preznaton jetën në oborrin mbretëror në kohën e revolucionit 1789.
Por vitet e fundit është hequr dorë nga përpjekjet që Berlinale të bëhet si një lloj dritare kinematografike për botën lindore. Nga Rusia, për shembull, këtë vit nuk do të prezantohet asnjë film. Kina prezantohet me tre filma, dy prej të cilëve priten me vëmendje.
"Toka e drenit të bardhë", bën fjalë për historinë 1000 vjeçare kineze. Ai është vepër e regjistorit Wang Quan'an, i cili para pesë vitesh ka fituar Ariun e artë. Dhe filmi tjetër "Lulet e Luftës" (i cili prezantohet jashtë konkurrencës zyrtare) i regjisorit të njohur Zhang Yimou. Në këtë film bëhet fjalë për masakrat e japonezëve në Nanking në vitin 1937. Filmi është dhënë në Kinë dhe është shpallur prej shtypit perëndimor si nacionalist. Nga vendet aziatike do të prezantohen edhe filma nga Filipinet dhe Indonezia. Ndërsa Afrika prezantohet me një film nga Senegali.
Amerika edhe më tej është e përmbajtur dhe në konkurrencën zyrtare paraqitet vetëm me një film. Regjistori dhe aktori Billy Bob Thornton shtjellon në filmin e tij "Jayne Mansfield's Car" një dramë familjare në SHBA nga fundi i viteve 1960-të. Megjithatë në Berlinale do të ketë edhe yje nga Holivudi. Në Berlin priten Robert Pattinson, Christian Bale, Uma Thurman, Michael Fassbender dhe Keanu Reeves. Natyrisht nuk do të mungojë as Angelina Jolie, e cila do të prezantojë filmin e saj të parë si regjisore. Fjala është për një dramë nga Bosnjë-Hercegovina me titull "In the Land of Blood and Honey" ("Në vendin e gjakderdhjes dhe mjaltit").
Forumi & panorama: kino politike
Berlinale është një prej festivaleve më të njohura në botë, jo vetëm për shkak të Ariut të artë. Në veçanti interesante janë "Forumi" dhe "Panorama" ku prezantohen filma më pak të njohur nga vende të ndryshme të botës. Këtu paraqiten më së shumti dokumentar dhe filma me tematikë politike. Me interesim pritet edhe "Retrospektiva", e cila këtë vit i kushtohet studios gjermano-ruse, kampit të talentëve, aktores së njohur Meryl Streep dhe jubileut 100 vjeçar të studios Babelsberg.
Në festival do të ketë prezantime të shumta. Njeriu duhet të koncentrohet dhe të përzgjedh tematikën që i pëlqen. Vëzhguesit thonë se ka tepër oferta. Por Dieter Kosslick me të drejtë përgjigjet se kjo është kërkesa e shikuesve. Kur të shiten gati të gjitha biletat, atëherë me siguri që nuk mund të thuash se koncepti nuk ishte me vend. Berlinalen e kanë vizituar vitin e kaluar gati 300.000 shikues. Kështu pritet edhe këtë vit. Dhe motoja në fund nuk i intereson askujt.
Autor: Jochen Kürten / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti